Klubi i Hendbollit “Drita” është në prag të shuarjes për shkak të krizës së madhe financiare.
Të gjitha përpjekjet dhe sakrificat e bëra po shkojnë drejt fundit, sepse gjendja e rëndë financiare po vazhdon brenda klubit gjilanas dhe as Komuna e Gjilanit, asnjë donator, sponsor ose person nuk ka shprehur gatishmërinë ta shpëtojë atë financiarisht.
Së fundmi, nga klubi është tërhequr kryetari, Luan Sllamniku dhe disa lojtarë.
Sllamniku i vetëm me disa lojtarë që afro 10 vite e kanë mbajtë klubin gjallë me gjitha problemet financiare dhe kanë arritur të jenë në 4 – shen e Superligës së Kosovës në hendboll.
Ky është njoftimi i tij i plotë pa ndërhyrje:
“Me keqardhje ju informoj qe unë, Luan Sllamniku jap dorheqje nga klubi Kh Drita për shkaqe të gjendjes financiare qe ka klubi unë personalisht jam personi i vetëm me disa lojtarë që afro 10 vite e kemi mbajt klubin gjall me gjitha problemet financiare që ka pas klubi ja kemi dal që gjithëherë të jemi në 4 shen e Superliges se hendbollit rredhanat e terheqjes nga Superliga janë të bollshme tu u nis nga Komuna e Gjilanit që me mjete financiare ka qenë minimale shuma për klubin tonë po ashtu edhe Federata e Hendbollit sipas mendimit tim nuk ka punuar me klube sa duhet po gjithnji neve si klub na ka anashkaluar po ashtu duhet te ceket se Kf Drita me president Valon Murseli na ka ndihmuar vitin e kaluar me mundesit e veta per qka ju jemi mirnjohes. Qyteti i Gjilanit e meriton ta ketë një klub hendbolli në Superligën e Kosovës, po redhanat janë këto që janë. Me respekt Luan Sllamniku”, ka shkruar Sllamniku në Facebook.
Në anën tjetër, edhe portieri i klubit gjilanas, Arbër Sylejmani ka konfirmuar një lajm të tillë.
“Në rend të parë ju faleminderit të gjithëve që ishit me ne dhe për ne gjatë gjithë kohës, që ndatë minutat më të vlefshëm të jetës tuaj për të na realizuar ëndrrat tona, të cilat deshtëm apo nuk deshtëm tashmë po shuhen. Gjithmonë e kam menduar se letra lamtumirës do të ishte ndryshe dhe jo në këtë formë, pasi që zemra më dhemb edhe më shumë kur e mendoj se klubi për të cilin jetuam dhe vepruam mund të mos ekzistojë më. Siç edhe keni dëgjuar Klubi i Hendbollit “Drita” është në prag të shuarjes për shkak të krizës së madhe financiare nëpër të cilën ndodhet. Të gjitha përpjekjet dhe sakrificat e bëra po shkojnë drejt fundit sepse ndjehemi të dorëzuar pranë një gjendje katastrofale në sportin e qytetit të Gjilanit që lejon të shuhet njëri ndër klubet ikonike të këtij qyteti. Unë ende nuk e besoj dhe nuk mund ta imagjinoj shuarjen, por nga dita e ditës dëshprimi po mund shpresën. Shpresën për të ardhmen e të rinjëve të shumtë gjilanas që e duan hendbollin. Shpresën të cilën të gjithë po e presim…
“Lamtumirë Drita jonë!”, ka shkruar Sylejmani.