(2L ONLINE) – Labinotë Demi – Murtezi e Partisë së Drejtësisë (PD), aktualisht është duke e ushtruar detyrën e drejtorit në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të komunës së Gjilanit. Këtë asaj ia mundësoi partneriteti që kishte lidhur PD-ja, me partin fituese në Gjilan, pra me LDK-në.
Por, ajo shumë shpejtë nuk do të jetë më në këtë pozitë, jo për tjetër gjë, por nga fakti se ajo ka fituar besimin e qytetarëve për të qenë deputete në Parlamentin e Kosovës, Dhe, e veçanta e kësaj është se në këto zgjedhje ajo ishte në listën e përbashkët me PDK-në, pasi PD, në nivelin qendror kishte zgjedhur për partner këtë subjekt.
Dhe pikërisht ky fakt, që ajo varësisht prej niveleve, ndodhet në dy anë të kundërta, bëri që nga ajo të kërkohen edhe sqarime prej qytetareve përgjatë një tubimi publik, ku edhe ajo, si pjesë e qeverisjes lokale, ishte e pranishme.
Labinotë Demi-Murtezi tha se dallojnë politikat lokale e qendrore dhe se u shpreh e kënaqur nga partneriteti i deritanishëm me LDK-në në nivelin lokal. Madje, ajo u shpreh edhe për atë se e gëzon fakti se subjekti i saj në këtë koalicion me LDK në nivelin lokal, ka qenë partner faktorizues.
Sipas saj, nuk duhet parë këtë si diçka negative, ndërsa kërkoi të vihen në pah ato anë pozitive e që sipas saj, i tillë është edhe fakti se Gjilani dëshmoi edhe njëherë se është qytet i demokracisë, duke i votuar dhe duke u besuar kandidateve femra.
Nga tetë deputetë nga Gjilani, që do të jenë pjesë e Parlamentit të Kosovës, katër do të jenë femra, dhe kjo është vlerë. Përndryshe, për të qenë pjesë e Parlamentit të Kosovës, nga Gjilani këtë besim e kanë marrë: Zenun Pajaziti e Labinotë Demi-Murtezi nga lista e PDK-së, Lirie Kajtazi e Fatmir Rexhepi nga LDK, Besnik Bislimi, Ismajl Kurteshi e Besa Baftija nga Vetëvendosje dhe Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën. /2L ONLINE/