Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi – Murtezi ka reaguar ndaj kritikave të përfaqësuesve të LDK-së, të cilët po i fajësojnë deputetet e Vetëvendosjes se refuzuan të votojnë marrëveshjen për huamarrje nga BERZH-i, për projektin e ujërave të zeza për Gjilanin.
“Projekti që trajton ujërat e zeza në Anamoravë ende nuk është hedhur në votim, dhe ne si deputetë të zonës do ta trajtojmë me kujdes e sinqeritet. Populli thotë “Dielli nuk mbulohet me shoshë”, dhe ne po themi, as dështimet me shpifje”, ka thënë Demi – Murtezi, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ja postimi i saj i plotë:
Kuvendi i Kosovës sot nuk pati vota të mjaftueshme për shmangie procedurale, dhe kësisoj dështoi trajtimi dhe votimi i disa projektligjeve. Duke mos përmbushur agjendën e paraparë dhe duke u karakterizuar kështu me dështim që në seancën e parë, ky dështim iu adresua deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kinse nuk i kanë votuar projektet e Anamoravës.
Të dashur familjarë e bashkëvendas. Projekti që trajton ujërat e zeza në Anamoravë ende nuk është hedhur në votim, dhe ne si deputetë të zonës do ta trajtojmë me kujdes e sinqeritet. Populli thotë “Dielli nuk mbulohet me shoshë”, dhe ne po themi, as dështimet me shpifje.
Për nevojat esenciale të qytetarëve, ne jemi gjithmonë në ballë të përgjegjësive me ndershmëri e përgjegjësi të lartë. /2LONLINE.com/