/2L ONLINE/ – Komiteti për Zhvillim Ekonomik dhe Agrikulturë (KZHEA) ka shqyrtuar të hënën projekt-rregulloren për taksa komunale, në pjesën që ka të bëjë me veprimtarinë afariste, ku në procedurat paraprake janë propozuar ulje dhe modifikime te disa kategori. Jehona Hyseni, kryesuese e KZHEA, ka thënë se kjo projekt-rregullore ka kaluar edhe në dëgjim publik, para se të vijë në këtë trupë komunale, për shqyrtim dhe rekomandim për procedurë të mëtejme.
Kundër ka votuar vetëm përfaqësuesi i LVV, Agron Shurdhani, i cili ka kërkuar që 90 për qind e taksave për bizneset, të mbeten ashtu siç kanë qenë më herët.
Projekt-rregullorja është prezantuar nga Agim Zuzaku, drejtor për Zhvillim Ekonomik, i cili ka thënë se është propozuar që për disa veprimtari afariste të hiqet krejtësisht taksa, për disa të ketë ulje, kurse për një numër shumë të vogël, është propozuar një rritje e lehtë.
“Kemi propozuar që veprimtarive të cilat kanë më shumë të punësuar, t`iu hiqen taksat krejtësisht, ose ato të ulen në minimumin e arsyeshëm, me qëllim që të stimulojmë hapjen e sa më shumë vendeve të punës”, ka thënë Zuzaku.
Anëtarët e KZHEA, Bashkim Shala, Jakup Bajrami, Hevzi Xhelili, Adelina Berisha e Agron Shurdhani nuk u dakorduan që të hiqet krejtësisht taksa për hipermarkete, për restorante me hapësirë mbi 100m/2, as për ndërmarrjet e sigurimit fizik, diskobaret, klinikat mjekësore, ambulancat, laboratorët, rëntgenët e stomatologët, me arsyetim se këto biznese krijojnë të hyra të konsiderueshme nga veprimtaria e tyre.
KZHEA është pajtuar që vetëm për autoshkolla, markete të vogla dhe restorante ma hapësirë më të vogël se 100m/2, të mos ketë taksë komunale fare. Te disa veprimtari tjera, është rekomanduar unifikimi i taksës, për disa – ulje, ndërkaq për një numër të tyre – rritje.
Njëherësh, Komiteti është njoftuar nga drejtori Agim Zuzaku me vendimin e qeverisë së Kosovës për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”, me aksione të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku do të integrohen tregu i gjelbër, tregu i kafshëve, tregu i automjeteve si dhe tregjet tjera.
KZHEA ka miratuar me plotësime edhe raportin e vetë të punës për këtë vit si dhe planin e punës për vitin 2017, të cilët i ka paraqitur Jehona Hyseni, kryesuese e kësaj trupe komunale. Ajo ka thënë se plani i punës mund të plotësohet me propozime nga drejtoritë përkatëse. /2L ONLINE/