UEFA e ka publikuar orarin e ndeshjeve për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, të cilat do të zhvillohen në qershor dhe shtator të vitit të ardhshëm. Kombëtarja e Kosovës do ta nisë këtë edicion në Ligën C, si mysafire me ndeshjen kundër Estonisë ose Qipros, më 2 qershor.
“Këto dy ekipe në muajin mars do të luajnë ndeshjen e ‘play-aut’-it dhe fituesi i këtij dueli do t’i vazhdojë garat në Ligën C, derisa humbësi në Ligën D. Muaji qershor do të jetë i ngjeshur për Dardanët, ngase do t’i luajnë edhe tri ndeshje tjera”, njofton FFK.
Më 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta presin Greqinë, kurse më 9 qershor do të luajnë kundër Irlandës së Veriut.
“Ndeshjet e këtij muaji Kosova i mbyll si mysafire në duel me Greqinë, më 12 qershor. Ndërkaq, në vjeshtë Kosova fillimisht luan si mysafire e Irlandës së Veriut, më 24 shtator, derisa tri ditë më vonë në shtëpi e pret Qipron ose Estoninë. Fituesi i Grupit C2 do të promovohet në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve”, njofton FFK. /2LONLINE/Foto: LUMIHD/