KV Drita – femrat, ekipi junior, kanë zhvilluar ndeshjen e fundit kampionale, duke shënuar fitore 3:0 në sete ndaj KV Prishtina Volej, e me këtë ndeshje përfunduan garat e rregullta, kështu KV Drita u shpall kampione e Kosovës për vitin 2017/2018 .
Kjo fitore e KV Drita, jo vetëm që i shtoi pikët në tabelë 41 sosh, po edhe vazhdoi serinë e fitoreve duke përfunduar kampionatin me pësimin e vetëm dy humbjeve.
Kryetrajneri i ekipit junior, Valon Zymberi, theksoi se të gjitha lojtaret bënë një paraqitje fantastike në këtë përballje, por edhe në gjithë ecurinë e kampionatit. Sipas trajnerit Zymberi, puna sistematike dhe serioziteti u shpaguan me medalje dhe kupë, transmeton 2LONLINE.
“Mund të them se puna sistematike ka bërë që në katër vitet e fundit, tri herë të shpallemi kampion me junior. Gjithashtu, forma e mirë dhe angazhimi është reflektuar edhe në ekipin senior”, ka thënë Zymberi për 2LONLINE.
Por, vashat e KV Drita – juniorët nuk janë të vetmet që triumfojnë në këtë sport, pasi volejbollistet bardhë e kaltër, seniore, janë në rrugë të mbarë në të dyja frontet, edhe në garat kampionale edhe në Kupën e Kosovës.
Valon Zymberi, që në ekipin e senioreve është ndihmës trajner, tregon se KV.Drita, ka përkrahjen e tifozëve dhe sportdashësve gjilanas, duke u renditur si ekipi me më së shumti shikueshmëri si vendas. E këtë mbështetje nga tifozët “Intelektualët”, ai e kërkon edhe për të dielën.
Kjo përkrahje kërkohet, pasi në Palestrën “Bashkim Selishta” në Gjilan, KV.Drita takohet me KV Prishtina Volej, në kuadër të gjysmë finales së Play Off-it, ballafaqim që fillon nga ora 17:00. Aktualisht KV Drita, është në vendin e parë në renditjen tabelare me 37 pikë.
Përndryshe, vashat e KV Dritës do ta kenë edhe një përballje tjetër, po të rëndësishme, pasi që të enjten luajnë në finale të Kupës së Kosovës, me Kv.Kastrioti ndeshje kjo që luhet në Ferizaj, e ku gjilanasit shpresojnë në fitore.
/Elife Sherifi/