(2L ONLINE) – Kuvendit Komunal të Gjilani mund t’i shtohet edhe një Grupim i Këshilltarëve. Aktualisht janë disa këshilltarë që nuk i takojnë grupeve aktuale në Kuvend siç është ai LDK-së e AAK-së në pozitë, apo edhe i PDK-së e Vetëvendosjes, në opozitë.
Nismëtar i kësaj iniciative mësohet të jetë Bajram Hasani, tani këshilltar i pavarur. Në fakt, ai i ka takuar Grupit të PDK-së më parë, por, pas braktisjes së këtij subjekti politik dhe kalimit në formacionin politik NISMA për Kosovën, tani në Kuvend figuron si i pavarur.
Hasani që njëherësh është kryetar Dege i NISMA për Kosovën, në Gjilan, e ka pohuar për Portalin 2L ONLINE, se shumë shpejtë mund të ndodh një gjë e tillë, por nuk ka dashtë, tani për tani, të precizojë se kush mund t’i bashkohet atij, për të bërë kështu një Grup Parlamentar, apo siç quhen në Kuvende komunale, Grup i Këshilltarëve.
Duke parë përbërjen aktuale të Kuvendit, përkujtojmë edhe njëherë se në këtë përbërje prej 35 anëtarësh, LDK, si subjekti më i madh, i ka 13 këshilltarë, AAK partnere e saj në qeverisje, i ka 4, pastaj PDK subjekti më i madh opozitar i ka 7 këshilltarë, Vetëvendosje po ashtu opozitare me 4 këshilltarë dhe të tjerë si Bajram Hasani (NISMA), Selvete Shurdhani (PD), Sejdulla Kadriu (Vatra), Jonuz Hasani (Lëvizja Republikane), Ismet Hajdini (AKR), Renan Imami (KDTP) she Srgjan Mitroviq (ZEP).
Burimet e 2L ONLINE thonë se Grupin e Këshilltarëve mund ta formojnë pikërisht Bajram Hasani, Ismet Hajdini e Jonuz Hasani, ndërsa atyre mund t’iu bashkohet edhe këshilltari nga komuniteti turk Renan Imami. Po ashtu mësohet se ky Grupim pastaj mund të futet në koalicion me LDK-në si subjektin më të madh që qeverisë me Gjilanin me çka sigurisht do të reflektojë edhe në pushtet pasi sigurisht se ky Grupim do të kërkojë që të përfshihen në bashkëqeverisje. /2L ONLINE/