Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë përmes një kumtese të shkruar njofton se pjesëmarrja e tyre në seancën e paralajmëruar për 12 shtator e Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës është në pikëpyetje.
Ky subjekt politik i cili ka këshilltarët e vet në tre kuvendet e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nuk e sheh të arsyeshme pjesëmarrjen në këtë seancë pasi nuk janë marr parasysh kërkesat e saj.
Lexo kumtesën e plotë:
Me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të rendit të ditës, por, edhe iniciativës për mbajtjen e Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës (KKSHLP), Partia për Veprim Demokratik ka dhënë propozimet e veta konstruktive që do ta avancojnë idenë e krijimit të një bashkëpunimi mes komunave në Luginë të Preshevës sikurse në pikëpamje të zgjidhjeve ekzistuese ashtu edhe krijimit të mekanizmave të përbashkët sipas parimit të reciprocitetit me të drejtat e serbëve në Kosovë.
Grupi i këshilltarëve të PVD-së në Preshevë, ka dhënë këto propozime për një seancë të veçantë të KK të Preshevës:
1. Shqyrtimi i procedurës së udhëhequr për ndarjen e mirënjohjes për kryeministrin Vuçiq dhe analiza e efekteve të vizitës së tij në Preshevë;
2. Shqyrtimi i përgatitjeve të bëra për fillimin e vitit shkollorë 2015/16 në shkollat fillore dhe të mesme në komunë të Preshevës me aksent të veçantë për problematikën e sigurimit të teksteve mësimore;
3. Shqyrtimi i informatës së kryetarit të komunës për procesin e zhvilluar të vlerësimit të numrit të banorëve të komunës së Preshevës.
Në të njëjtën kohë, dhe duke u bazuar në parimet e njëjta, grupi i këshilltarëve të PVD-së në Bujanoc, i ka dërguar ditë më parë, kryetarit të KK të Bujanocit, Jonuz Musliu, propozimin e vet për seancë të veçantë të rendit të ditës. Në seancë do të duhej të diskutoheshin këto pika:
1. Shqyrtimi i përgatitjeve të bëra për fillimin e vitit shkollor 2015/16 në shkollat fillore dhe të mesme në komunë të Bujanocit me theks të veçantë për problematikën e sigurimit të teksteve mësimore;
2. Shqyrtimi i informatës së kryetarit të komunës për procesin e zhvilluar të vlerësimit të numrit të banorëve në komunën e Bujanocit.
3. Shqyrtimi i iniciativës për krijimin e asociacionit të komunave Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.
4. Ndryshimi i vendimit për emërtimin e Sheshit të Bujanocit.
As kryetari i Kuvendit të Preshevës e as ai i Kuvendit të Bujanocit, nuk kanë marrë para sysh këto kërkesa të PVD-së, prandaj, Kryesia e PVD-së ka konsideruar si joserioze tendencat me ngut të mbajtjes së seancës së KKSHLP-së, dhe të papërgatitura për një vendim të rëndësishëm, në këtë drejtim, PVD, nuk sheh të arsyeshme pjesëmarrjen e vet në këtë seancë.
Praktikisht, me skenarin e përgatitur nga pushtetmbajtësit në Buajnoc e Preshevë dhe KKSH, mund të vijmë në situatë në të cilën KKSHLP edhe do ta aprovojë Vendimin për krijimin e asociacionit të komunave, por, që vetë Kuvendet komunale të hezitojnë apo edhe të refuzojnë të aprovojnë vendimin për pjesëmarrje në këtë asociacion.
Prandaj edhe vendimi që mund të aprovohet të shtunën e 12 shtatorit mund të mbetet një shkronjë e vdekur në letrën e bardhë.
Ajo që është e sigurt se Kuvendi i Medvegjës me siguri nuk do të aprovojë një vendim të këtillë, meqë shqiptarët nuk mund të kenë shumicën në atë Kuvend. Në Bujanoc, në Kuvendin e të cilit shumicën absolute e kanë shqiptarët, për shkak të ruajtjes së balanceve të koalicionit multietnik që po qeverisë, vështirë të pritet një vendim pro bashkangjitjes në asociacion. Prandaj, realisht, asociacionin do ta përbënte vetëm Presheva, nëse edhe ata, pas mirënjohjes së dhënë kryeministrit serb, do të aprovonim vendimin pro asociacionit.
Gjithë skenari del se është një marifet politik i atyre që dhanë premtime të shumta dhe që po tentojnë që vëmendjen e opinionit ta shpërqëndrojnë në tema patriotike.
Kryesia e PVD-së.
/fotoilustrim//
http://titulli.com/index.php?m=post&s=17315