Në seancën e sotme të tretën me radhë të Kuvendit Komunal të Vitisë, përpos pikave të parapara për këtë mbledhje, këshilltarët fillimisht kanë parashtruar pyetje dhe kanë shpreh interesime për një varg çështjesh të ndryshme.
Ndër pikat që më së shumti u debatua në këtë seancë, ishte ajo rreth Propozim vendimit për shqyrtimin dhe aprovimin e autorizimit dhe kushteve për borxhin afatgjatë nga Qeveria e Austrisë, për miratimin e projektit për furnizimin me ujë dhe rregullimin e kanalizimeve për të gjithë qytetaret e Komunës së Vitisë, rehabilitimin dhe rregullimi i shtratit te lumit Morava, si dhe shtrimi i rrugëve fushore.
Lidhur me këtë pikë, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ka paraqitë interesin që ka komuna në realizimin e këtij projekti shumë jetik për qytetarët.
Ndërkaq për kushtet dhe marrjen e kredisë ka folur edhe drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Ibrahim Rama, i cili potencoi se janë në procedurë të aplikimit të kësaj kredie, e cila do të përfshije një periudhë afatgjatë të kthimit të mjeteve për 22 vite me zero kamatë.
Ndonëse pati pyetje nga më të ndryshmet nga ana e këshilltarëve, e gjithashtu edhe vërejtje, ky propozim vendim u miratua me shumicë votash nga këshilltarët.
Në këtë seancë, u diskutua edhe rreth propozim vendimit për bartjen e mjeteve nga te hyrat vetanake të vitit 2015 dhe 2016, në vitin 2017, propozim vendimi për shqyrtimin dhe aprovimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër pronën e paluajtshme të Komunës, Kompanisë KKDFE sha KEDS J.S.C për vendosjen e trafove elektrike, propozim vendimi për rregullimin e komunikacionit në qytetin e Vitisë dhe territorin e saj, propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin të vendimit me Nr. 01.013/93 të datës 30.01.2017 për planin rregullues të hollësishëm zona ekonomike me statusin “ Parku industrial” në fshatin Budrikë e Epërme.
Gjithashtu u shqyrtua dhe u miratua edhe propozim vendimi për shqyrtimin dhe aprovimin e raportit të punës së Komitetit për Shërbime Publike për periudhën Janar-Dhjetor të vitit 2016, si dhe propozim vendimi për shqyrtimin dhe aprovimin e Planit të Punës të Komitetit për Komunitete për vitin 2017.
Seanca e tretë e Kuvendit Komunal të Vitisë, u karakterizua edhe me një Informatë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë për Planin e Mobilitetit Urban.