(2L ONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të mërkurën, në seancën e radhës, të cilën e ka udhëhequr kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi e ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, nënkryetari Rexhep Kadriu si dhe drejtorët komunalë, ka miratuar raportin financiar janar-qershor 2014, propozim-vendimin për revidimin e zgjidhjes urbanistike të kompleksit të shkollave të mesme si dhe tri propozim-vendime mbi qasjen e hartimit të planeve rregulluese të hollësishme “Lagja e Spitalit”, “Qendra 3” dhe “Zabeli 1”, dhe të gjitha këto i ka rekomanduar për Kuvend Komunal.
Raportin financiar e ka prezantuar drejtori për Buxhet, Salih Kqiku, i cili ka thënë se buxheti i përgjithshëm për vitin fiskal 2014, është 20.125.842 euro. Nga grandi janë planifikuar të sigurohen 16.345.842 euro, kurse nga të hyrat vetanake, 3,780.000 euro të tjera.
Plani i të hyrave vetanake, në këtë periudhë është për rreth 7 për qind më i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përkatësisht është realizuar për afër 45 për qind në krahasim me planin vjetor, tha Kqiku.
Ai ka prezantuar edhe raportin e shpenzimeve komunale, duke thënë se në këtë periudhë janë shpenzuar 9.8 milionë euro të buxhetit vjetor. Në përgjithësi ka ulje të shpenzimeve, me përjashtim të pagave, ku shpenzimet janë më të mëdha shkaku i rritjes së pagave nga qeveria, ka thënë Kqiku, duke nënvizuar se te disa kode buxhetore shpenzimet janë zero.
Riad Rashiti (GK PDK) tha se disa nga konstatimet në raport nuk qëndrojnë, sepse sipas tij, te shpenzimet, në total ka rritje. Rashiti ka thënë se në këtë periudhë ka rënie të të hyrave vetanake, rritje të shpenzimeve dhe zvogëlim të investimeve.
Zijadin Maliqi (GK LDK) e ka vlerësuar real raportin financiar të kësaj periudhe. Ai ka thënë se tek të hyrat vetanake ka vend për përmirësim akoma, edhe pse gjendja nuk është keq as tani, sepse dihet që inkasimi dallon prej një periudhe në tjetrën.
Sa u përket shpenzimeve, Maliqi u pajtua se ka ulje të dukshme në 95 për qind të kodeve buxhetore dhe këtë e ka mundësuar menaxhimi i mirë financiar. Kurse për investimet kapitale, ai ka thënë se zotimi i mjeteve tregon se më shumë projekte do të ketë në periudhën e dytë të këtij viti.
Selami Xhemajli (GK AAK) i ka dhënë mbështetje raportit financiar, duke thënë se uljet e shpenzimeve dëshmojnë që është menaxhuar mirë buxheti i Komunës.
Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, duke i ftuar këshilltarët që të miratojnë raportin, tha se ai është rekomanduar nga Komiteti për Politikë dhe Financa.
Vëmendje të konsiderueshme të këshilltarëve komunalë tërhoqi edhe propozim-vendimin për riorganizimin e hapësirës së shkollave të mesme, të cilin e ka arsyetuar Mumin Kqiku nga Drejtoria e Urbanizimit.
Ai tha se ishte e domosdoshme të bëhet revidimi i zgjidhjes së miratuar në vitin 2012, për shkak të kërkesave të qytetarëve për të pasur qasje nëpër këtë zonë, por edhe kërkesës për ndërtimin e një shkolle të muzikës brenda kësaj hapësire. Kqiku tha se baza ligjore për këtë revidim ekziston te ligji për planifikimin hapësinor dhe plani rregullues për zonën e qendrës.
Opozita (PDK e VV) nuk i vlerësoi të mjaftueshme këto arsye për revidim të planit ekzistues. Fehmi Sylejmani (VV) kërkoi një modifikim të planit, por jo revidim. Kurse Riad Rashiti (PDK) tha se revidimi është në kundërshtim me ligjin.
Nevzad Isufi (VV) nuk e sheh zgjidhje të mirë qasjen e qytetarëve brenda kësaj hapësire, derisa Izmi Zeka (PDK) tha se revidimi në emër të kërkesave të qytetarëve, mund të jetë paragjykim. Mospajtime shprehën edhe Bujar Nevzati, Leonora Bunjaku (PDK) dhe të tjerë.
Ismet Hajdini (AKR) tha se është interes i qytetarëve të lagjes “Dardania” që të mos mbyllet rruga përmes kësaj hapësire. Avdyl Aliu (LDK) tha se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një rrethojë të kompleksit shkollor, por për një riorganizim të përgjithshëm të kësaj hapësire.
Këto mospajtime e nxitën kryesuesen e Kuvendit që të kërkojë sqarime shtesë nga drejtorët dhe zyrtarët komunalë. Ismajl Januzi (DZHE), ka thënë se dallimi është se kompleksi ndahet në dy pjesë, për të krijuar një korridor kalimi për qytetarë, por ata nuk do të kenë qasje në hapësirat shkollore, ndërkaq për nxënësit ndërtohet një nënkalim që lidh këto dy komplekse. Ai ka thënë se duhet të merret parasysh se brenda kësaj hapësire ndodhet edhe Universiteti Publik.
Sqarime shtesë dha edhe Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës, duke thënë se revidimi po bëhet për dy arsye. E para është se duhet të merren parasysh interesat e 14 mijë banorëve të lagjes “Dardania 1 e 2”, që kërkojnë të mos u mbyllet rruga përmes kësaj hapësire dhe arsyeja e dytë është se brenda kësaj hapësire duhet të planifikohet edhe ndërtimi i shkollës së muzikës, që nuk ishte planifikuar në planin e vitit 2012.
Ndërkaq, propozim-vendimi për qasje në planet rregulluese “Lagja e Spitalit”, “Qendra 3” dhe “Zabeli 1”, për t`i harmonizuar ato me planifikimin hapësinor, duke thënë se në këto tri zona, diku kishte plane të vjetra, e diku nuk kishte fare, zgjoi më pak interesim te anëtarët e Kuvendit.
Në pikën nën të ndryshme, këshilltarët komunalë parashtruan pyetje, disa prej të cilave, siç tha kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, do të marrin përgjigje me shkrim, ndërsa disa të tjera, morën aty për aty nga drejtorët e pranishëm, edhe opozita (PDK) nuk qëndroi deri në fund për t`i dëgjuar përgjigjet.
Kjo e nxiti kryesuesen Bunjaku-Rexhepi të thotë se opozita (PDK) është më e interesuar për nxjerrjen e një lideri se sa për të dëgjuar përgjigjet në pyetjet që i parashtron. Ajo nuk është pajtuar me konstatimin e opozitës për mungesë transparence, duke thënë se gjithçka në punën e qeverisjes komunale është transparente. /2L ONLINE/