(2LONLINE) – Komuna e Gjilanit është bërë gati për të shënuar përvjetorin e gjashtë të pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt. Bujar Haziri, ushtrues i detyrës së drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se për këtë ditë festive, është përgatitur një program i pasur kulturor.
Programi i manifestimit, i cili mbahet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, fillon me homazhe tek Varrezat e dhe Lapidarët e Dëshmorëve (ora 10:00) dhe vazhdon me seancën solemne të Kuvendit Komunal (ora 11:30), për të vazhduar me koncertin për fëmijë (12:00), koncerti i muzikës klasike (15:00) si dhe koncerti i madh festiv me ansamble dhe solistë të qytetit (19:30), me të cilin edhe përmbyllen manifestimet kushtuar 17-shkurtit.
“Jemi kujdesur që programi të jetë sa më i larmishëm dhe i pëlqyeshëm për të gjitha kategoritë”, ka thënë Bujar Haziri.
Qyteti i Gjilanit tashmë është e stolisur me flamuj shtetëror përgjatë gjithë rrugës kryesore. /2lonline/