(2LONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit ka organizuar sot një koktej për dy klubet e futbollit gjilanas, KF “Dritën” dhe KF “Gjilanin” në shenjë falënderimi për spektaklin e sotëm që e treguan në fushë, në kuadër të ballafaqimit për Kupën e Kosovës.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, kryesuesja Valentina Bunjaku – Rexhepi, përfaqësues e dashamirë të sportit gjilanas si dhe nënkryetari i klubit turk Bursaspor, Ayhan Barisici së bashku me kryesinë.
Në fjalën e rastit, nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, ka uruar sot dy klubet për lojën fer play që treguan si dhe tifozët e dyja skuadrave, Intelektualët dhe Skifterat.
“Sot në këtë derbi ka fituar qyteti i Gjilanit. Gjilani sot është krenar me këtë spektakël që e treguat. Gjatë gjithë javës e tërë Kosova i ka pasur sytë në Gjilan në pritje të kësaj ndeshje. Do ta keni gjithmonë përkrahjen e Komunës së Gjilanit. E përshëndes edhe kryesinë e klubit turk Bursaspor që kanë ardhur në Gjilan dhe na kanë nderuar”, ka thënë nënkryetari Kadriu“.
Në emër të Kuvendit Komunal të Gjilanit më lejoni të shpreh mirënjohjen për dy klubet gjilanase, të cilat dhanë shembull se si duhet të luhet futbolli ashtu si i ka hije. Ky derbi është krenaria e Gjilanit dhe Anamoravës, është derbi më i madh lokal në mbarë trojet shqiptare, ndoshta edhe në Ballkan. Ju i keni dhënë hijeshi qytetit tonë. Urime dhe sukese edhe në të ardhmen”, është shprehur nga ana tjetër kryesuesja e KK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi.
Një fjalë rasti e ka pasur edhe nënkryetari i klubit turk Bursaspor, Ayhan Barisici, i cili tha se arsyeja që ndodhen në Gjilan është për të ndihmuar sadopak klubin e futbollit “Drita”, me disa donacione. /2lonline/