Është mbajtur sot Seanca e Kuvendit Komunal të Vitisë, ku janë shqyrtuar disa pika të rendit të ditës që ishin paraparë për këtë mbledhje të pestë të radhës, ndër të cilat u diskutua rreth propozim vendimit për formimin e komisionit për zgjedhjen e kryetarëve dhe këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane.
Por, fillimisht, kryesuesi i Kuvendit Naim Pira, njoftoi këshilltarët për mbledhjen e kolegjiumit të Asambleve komunale, ku është shqyrtuar edhe kërkesa e këshilltarëve të komunave të Kosovës rreth mëditjeve.
Gjithashtu, ai bëri të ditur edhe konfirmimin e vendimeve të Kuvendit konform ligjeve në fuqi, nga ana e MAPL-së.
Në seancën e sotme, u diskutua edhe propozim vendimi për formimin e komiteteve konsultative, ndërkohë u dhanë një informatë mbi përgatitjen për mirëmbajtjen e rrugëve lokale të Komunës së Vitisë për sezonin verore, nga drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike Nexhmedin Jakupi, si dhe një informatë, mbi punën e komiteteve funksionale për fillim vitin 2018.
Mirëpo, grupi I këshilltarëve të VV-së, sot ka lëshuar seancën në mënyrë demonstrative, me arsyetimin se janë anashkaluar në seancën e fundit kërkesat për pyetje në pikën e rendit të fundit: të ndryshme.
Sipas tyre, seanca e kaluar konsiderohet si e ndërprerë dhe jo e përfunduar, pasi që grupi i këshilltarëve të këtij subjekti kishin pyetje për drejtorët e drejtorive.
Lidhur me këtë shqetësim, kryesuesi i Kuvendit Naim Pira theksoi se ai udhëheqë me mbledhjen bazuar në rregulloren e Kuvendit dhe ka specifikuar se në bazë të kësaj rregullore, çdo këshilltar mund ta marrë fjalën më së shumti 2 herë dhe të parashtrojë pyetje në kohëzgjatje prej 1 minute.