Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e të enjtes, me votë unanime, i ka nderuar me titullin “Nderi i Qytetit”, Ekrem Gjinollin (Post Mortum) dhe Fahredin Sherifin.
Para se të votohej, Shefik Surdulli dhe Imrane Thaqi, anëtarë të Kuvendit Komunal nga radhët e Partisë Demorkatike të Kosovës (PDK), në fjalën e tyre i kanë vlerësuar si të qëlluara këto propozime duke potencuar se është meritore që Kuvendi të nderojë me një titull të tillë personalitete të rëndësishme, siç janë edhe dy personalitetet e propozuara, që t’i nderojmë për veprat e tyre, për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në fusha përkatëse.
Përndryshe, Xhevat Demiri, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e AAK-së, ishte ai që, në një seancë të kaluar, kishte dhënë propozimin që Ekrem Gjinolli (Post Mortum) të nderohet nga Kuvendi me titullin “Nderi i Qytetit”, pasi , siç ishte shprehur Demiri, personaliteti dhe gjithë karriera e Ekrem Gjinollit ishte e jashtëzakonshme. “E kush nuk fliste me shumë dashuri për të, në Gjilan dhe më gjerë. Kushdo që është pak i informuar, e sidomos studentët e tij dëshmojnë më së miri kulturën dhe traditën e familjes Gjinolli në Gjilan”, kishte thënë tutje Demiri, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai kishte shprehur besimin e tij se do të ishte hap meritor, po që se nderohet edhe figura e Ekrem Gjinollit. “Ne i kemi borxh atij dhe shoqëria, institucionet tona e qytetarët, duhet që emrin e tij ta nderojnë”, ishte shprehur Demiri.
Demiri kishte kërkuar nga kolegët kuvendarë, angazhim për ta dashur kulturën, traditën e zakonet tona qytetare, siç kishte bërë edhe Ekrem Gjinolli.
Demiri vlerësoi lartë ndarjen e një titulli të tillë (Post Mortum) për Ekrem Gjinollin, për kontributin e dhënë sistemit të edukimit në Gjilan dhe më gjerë, duke e respektuar kështu edhe kontributin e familjes së tij në përgjithësi.
Ndërsa, propozimi që Fahredin Sherifi të nderohet me titullin “Nderi i Qytetit” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në Arsim, Sport dhe Kulturë, ishte bërë, në një seancë të kaluar, nga Nehat Osmani, anëtari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes.
Sherifi ishte profesor i matematikës në Gjilan që njëkohshëm ligjëronte në paralelet shqipe, turke dhe serbe, ndërsa anëtari i Kuvendit, Osmani thotë, me këtë rast se, nëse do gjurmonim syzheun domethënës të shprehjes “Qytetari”, do duhej patjetër të hulumtonim jetën, veprën dhe personalitetin e këtij njeriu të madh të qytetit të Gjilanit, vetëm atëherë do gjejmë kuptimin e vërtetë të saj, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“Fahredin Sherifi ishte njëri ndër futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave i cili me gjeneratën e vet më 1963 i solli qytetit të Gjilanit titullin e kampionit të Kosovës. Ishte trajneri më produktiv që ngriti dhe gjeneroi gjeneratën më të suksesshme në historinë e qytetit tonë. Sherifi një kohë të gjatë nga viti 1979 – 1992 ishte “Drejtor i palestrës sportive” ku organizoheshin manifestime të mëdha sportive e kulturore. Një kohë jetoi në Turqi nga ku afirmoi dhe loboi të arriturat e qytetit tonë në sport, arsim dhe kulturë”, shprehej Osmani, gjatë kërkesës për një titull të tillë për Fahredin Sherifin.
Sipas Osmanit, Sherifi gjatë tërë jetës së tij ka qenë sinonim i edukatës, kultivues i kulturës e përfaqësues i qytetërimit përgjatë gjeneratave të tëra.
Seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit po vazhdon me pika të tjera të rendit të ditës.