Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, në seancën urgjente të ftuar nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka miratuar ndarazi një pjesë të bartjes së mjeteve në shumën prej mbi 1.5 milionë euro, ndërkaq pjesa tjetër e mbetur prej 941 mijë euro dhe buxheti për vitin 2025 janë shtyrë për një seancë tjetër urgjente.
Pas një debati polarizues pozitë-opozitë, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka pranuar propozimin e shefave të grupeve të opozitës, Avdyl Aliu (LDK), Bujar Nevzati (PDK) dhe Nazim Gagica (AAK) që bartja e mjeteve prej 2.5 milionë euro të mos hidhet në votim si tërësi, por ndarazi për secilën kategori.
Duke e parë se disa pika të propozuara nuk kaluan dhe për të mos u kthyer mjetet mbrapa, kryetari Hyseni, në dakordancë me partitë opozitare, propozuan dyfishim të mjeteve për shoqatat që trajtojnë personat me aftësi të kufizuar, ku u votua unanimisht që Handikosit t’i ndahen në total 100 mijë euro, shoqatës Pema 80 mijë euro, Shoqatës së të Verbërve në Gjilan 70 mijë euro, ndërkaq për subvencionimin e lehonave dhe për barëra për personat në nevojë 110 mijë euro.
Në këtë seancë, kuevendarët e Gjilanit kanë votuar unanimisht edhe për vendosjen e dollapëve në shkolla (50 mijë euro), vendimin për pagesën e faturës së punëtorëve të tregut në vlerë prej 21 mijë euro, vendimin për rritjen e pagave të punëtorëve të ndërmarrjes Tregu (180 mijë euro), vendimin për subvencinimin e qumështit për fermerët për 10 centë për litër në shumën totale prej 220 mijë euro, vendimin për mbështetjen ndaj bletarëve prej 65 mijë euro, pagesa për farë gruri 38 mijë dhe vendimin për projektin e Islamic Relief në shumën prej 65 mijë euro.
Kuvendi i Komunës ka miratuar, po ashtu, edhe vendimin për bursat për studentë në vlerë prej 50 mijë euro, vendimin për trajtimin e qenëve endacakë në shumën prej 50 mijë euro, vendimin për Shoqatën e Pensionisëve – aktivi i gruas në vlerë prej 30 mijë euro, sikurse edhe për inicimin e projektit Kodra e Dëshmorëve, pjesa e mbetur, në shumën prej 200 mijë euro.
Në fund, kryetari i Komunës Alban Hyseni, ka paralajmëruar se do ta thërrasë edhe një seancë urgjente për miratim të shumës së mbetur tek mjetet e bartura dhe për buxhetin për vitin 2025 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2026-2027.