Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar të enjten Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2018-2020, ku parashihet një rritje e konsiderueshme e buxhetit dhe investimeve kapitale, gjatë tri viteve të ardhshme, për dallim nga shpenzimet, që do të mbeten në kufij të njëjtë.
Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, ka thënë se KAB-i përcakton vetëm kufijtë fillestarë të buxhetit të një Komune, ndërsa kufijtë përfundimtarë bëhen më vonë dhe bazohen në nevojat e drejtorive si dhe prioritet e qytetarëve, për çka mbahen edhe dëgjimet publike.
Buxheti i vitit 2018 do të jetë 23.900.971 euro, ose për 5 për qind me i lartë në krahasim me vitin paraprak, buxheti i vitit 2019 do të jetë 22.657.746 euro, ose 7 për qind më i lartë se ai i vitit paraprak, kurse buxheti i vitit 2020 do të jetë 9 për qind më i lartë (27.682.331), ose 22 për qind në krahasim me vitin 2018. Edhe të hyrat vetanake do të rriten nga 4.3 milionë euro (2018) në 4.6 milionë (2020).
Rritje do të shënojnë edhe të hyrat vetanake, nga 4.3 milionë sa do të jenë në vitin 2018, përkatësisht 4.4 milionë në vitin 2019, në 4.6 milionë në vitin 2020.
Sipas Maliqit, rritje të konsiderueshme do të ketë edhe te investimet kapitale, kurse shpenzimet komunale do të mbeten në kufijtë e njëjtë.
Opozita ka vlerësuar se KAB-i ka disa mangësi dhe nuk ofron sqarime të mjaftueshme për mënyrën se si do të rriten treguesit buxhetor. Krenare Latifi (VV) ka thënë se KAB-i është i njëjtë me vitet e kaluara dhe nuk ka rritje tek të hyrat vetanake, përkundrazi shumë tregues buxhetorë kanë tendencë rënie.
Kuvendi ka miratuar edhe raportin e Komisionit për themelimin e këshillave lokale, të cilin e ka paraqitur Avdyl Aliu, duke vlerësuar se është bërë një punë e mirë deri më tani. Sipas tij, shumica e këshillave kanë zyra pune dhe janë funksionalë në ushtrimin e përgjegjësive që kanë.
Procesit i dhanë përkrahje edhe Nevzad Rushiti (LDK) e Selami Xhemajli (AAK).
Opozita kishte mendim ndryshe. Sipas Nevzad Isufit (VV), këta këshilla, kryesisht pa zyra pune e pa buxhet, janë trupa krejtësisht formalë. Për më tepër ai tha se në përzgjedhjen e anëtarëve të këshillave lokale ka mbizotëruar përfaqësimi partiak, gjë që e mohoi Aliu. Edhe kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se ka marrë pjesë në tubimin zgjedhor në Velekincë dhe e vlerësoi korrekt procesin.
Ndërkaq, Bujar Nevzati (PDK) tha se këshilli në Përlepnicë, ka zyrë, por nuk funksionon, meqë kryesuesi i kësaj trupe e ka menduar këtë si vend pune, ndërsa tani ndihet i zhgënjyer që duhet të punojë pa pagesë.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe rregulloren për tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin 2018, Strategjinë për gratë ndërmarrëse (2017-2021), vendimin për lejimin e këmbimit të pronës komunale me pronën private për nevoja të rrugës qarkore, sipas PRRU “Fidanishte”, vendimin për lejimin e këmbimit të pronës komunale me pronën private për nevoja të rreth-rrotullimit tek lagja “Iliria” (“Jugu I, faza II) si dhe vendimet për subvencionimin e KF “Gjilani”, KF “Drita”, KV “Drita”, KB “Drita” (M), KH “Drita” (M) si dhe KH “Zhegra”.
Kuvendi ka autorizuar kryetarin e Komunës që të sigurojë mjete nga qeveria për pagesën e obligimeve ndaj TV VALI-t, i cili ka bërë transmetimin e seancave pa kontratë, për borxhet ndaj “Ecohigjienës” si dhe komisionit për themelimin e këshillave lokale.
Njëherësh, Kuvendi ka miratuar edhe propozimet për disa ndryshime te emetimet e rrugëve si dhe kërkesën për zgjatjen e orarit të punës për bizneset e vogla, për një orë (24:00), gjatë dy muajve të verës, kohë kjo kur mërgimtarët ndodhen për pushime në vendlindje.
Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka filluar seancën e sotme duke bërë nderime ndaj atdhetarit Rexhep Berisha, i cili u nda nga jeta një ditë më herët. Valentian Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit, rikujtoi se ky Kuvend e kishte shpall Rexhep Berishën “Qytetar Nderi”, duke nënvizuar se ai ishte burri më i çmuar në Gjilan.
Njëherësh, në përfundim të seancës, Valentina Bunajku-Rexhepi ka paraqitur dorëheqje nga pozita e kryesueses, meqë është zgjedhur deputete e Parlamentit të Kosovës, duke i falënderuar të gjithë këshilltarët komunalë për bashkëpunimin e deritashëm.