Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme, e cila, siç ka thënë kryesuesi Arianit Sadiku, është ftuar me kërkesë të opozitës për të diskutuar për subvencionet në kulturë, rini e sport, për procesin e ndarjes së bursave si dhe për raportin financiar të manifestimit ‘Flaka e Janarit’.
Debati është shoqëruar me mospajtime në të tri këto pika ndërmjet opozitës, e cila pretendon se ka pasur konflikt interesi, përkatësisht ndërhyrje në proces nga ekzekutivi dhe pozitës e cila tërë këtë e ka quajtur ‘zhurmë për asgjë’.
Në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Gentrit Murseli kërkoi sqarime rreth gjithë procedurave të thirrjes së parë publike për ndarjen e subvencioneve në kulturë, rini e sport, përfshirë edhe komisionet, për thirrjen e dytë publike, për ndarjen e mjeteve në sektorin e rinisë për disa OJQ që nuk i përkasin sektorit të rinisë dhe të tjera.
Vërejtje te ndarja e subvencioneve pati edhe Nazim Gagica (AAK), i cili tha se ka ndërhyrje nga jashtë dhe se 80 për qind e përfituesve në thirrjen e dytë, janë po ata që kanë qenë edhe në thirrjen e parë, e ku ka edhe zyrtarë që marrin pagë nga shteti.
Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kushtrim Zeqiri, tha se e drejta për të aplikuar për subvencione nuk mund t`i ndalohet askujt, ndërsa është detyrë e komisionit të vendos për ndarjen e mjeteve, duke rikujtuar se lista e publikuar është para përfundimtare.
Ndërkaq sa i përket OJQ-ve përfituese në sektorin e rinisë, Zeqiri tha se ato shoqata mund të mos jenë rinore, por në fokus të punës dhe programeve të tyre e kanë rininë.
Sa i përket bursave për studentë, dihet se tre anëtarë të opozitës janë tërhequr nga komisioni, për shkak të, siç ka thënë Gentrit Murseli (LDK), ndërhyrjes së ekzekutivit në zyrën ku ka punuar komisioni.
Ai ka këmbëngulur që për këtë të bëhet një sqarim me shkrim nga ekzekutivi, i cili, ka thënë Murseli, është i nevojshëm për procedurat e mëtejme të ankesave eventuale nga studentët.
Ismajl Kurteshi, kryetar i komisionit, krejt këtë e ka quajtur ‘shumë zhurmë për asgjë’, duke mohuar të ketë pasur ndërhyrje nga ekzekutivi në procesin e ndarjes së bursave.
Ai i ka ftuar tre anëtarët e opozitës që t`i bashkohen komisionit dhe të vazhdojnë punën e t`i shpallin rezultatet, përndryshe i ka rikujtuar se përgjegjësia për vonesë bie mbi ta.
Kurteshi i ka garantuar studentët se procesi do të jetë transparent dhe askush nga ta nuk do të dëmtohet.
Edhe sipas Avdyl Aliut (LDK) ka pasur ndërhyrje në punën e komisionit, prandaj ata insistojnë që kjo të konstatohet me një procesverbal.
Kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku kërkoi prej opozitës që t`i bashkohet komisionit dhe të vazhdojnë punën e të mos manipulojnë me një gabim teknik, sepse nuk ka pasur ndërhyrje në proces.
‘Mos kërkoni prej dikujt diçka që nuk i përket ta bëjë, por kthehuni në komision dhe vazhdojeni punën’, ka thënë Sadiku.
Edhe nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku kërkoi të gjendet mirëkuptimi mes anëtarëve të komisionit dhe të vazhdojë puna. Për më tepër ajo tha se procesi për ndarjen e bursave për studentë nuk mund të neglizhohet mbi këso paragjykime.
Bujar Nevzati (PDK) tha se e kupton që opozita ka nevojë për zhurmë e për reagime, por komisioni duhet t`i kthehet punës e t`i ndajë bursat, ndërkohë që u shpreh i bindur se nuk është prekur asgjë në dokumentet e studentëve.
Duke mohuar se qëllimi i tyre është sabotimi i punës së komisionit, Gentrit Murseli (LDK) tha se të paktën në procesverbalin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit duhet të konstatohet kërkesa e tyre.
‘Ne do të vazhdojmë punën si komision, ndërsa për ata që nuk po marrin përgjegjësinë për ndërhyrje në proces, nuk kemi koment’, ka thënë Murseli.
Ndërkaq sa i përket raportit financiar të manifestimit ‘Flaka e Janarit’ vërejtjet kryesore i ka paraqitur Gresa Avdiu (LDK), duke thënë se ka mos përputhje mes raportit të parë dhe të dytë për mbi 1.200 euro.
Avdiu ka këmbëngulur se ka konflikt interesi në DKRS, duke thënë se drejtori i Kulturës nuk po e dëshmon që i ka ndarë rrugët me shoqatën Varg e Vi, si njëri nga themeluesit e saj.
Nazim Gagica (AAK) tha se raporti përmban vetëm numra, ndërsa i mungon pjesa përshkruese sa i përket emrave të përfituesve dhe arsyeve të shpenzimit të mjeteve.
Drejtori Zeqiri e sqaroi edhe këtë pjesë, duke thënë se Varg e Vi i ka deklaruar anëtarët e vetë dhe ai nuk është pjesë e saj.
Ndërsa sa i përket raportit financiar për manifestimin ‘Flaka e Janarit’, Zeqiri tha se ekzistojnë faturat për çdo shpenzim dhe ato mund të shihen e verifikohen kur të doni.
Me pjesëmarrje në debat për këto pika, kanë kontribuuar edhe këshilltarët tjerë: Arianit Ibrahimi, Kushtrim Kadriu, Valdrin Bajrami,Mimoza Kadriu, Ardita Ukshini, Arbër Musliu, Afërdita Balaj, Ardhmërie Jakupi Musliu, Krenare Latifi Kqiku, Besnik Shala, Shpresa Kurteshi dhe të tjerë. /2LONLINE/