Në seancën e sotme, Kushtrim Kadriu u zgjodh kryesuesi i ri i Kuvendit Komunal të Gjilanit duke marr besimin e plotë të 20 anëtarëve, aq edhe sa votuan.
Përndryshe, u propozuan tri kandidatë për këtë pozitë: Kushtrim Kadriu (Vatra), Rijad Elezi (LDK) dhe Suzana Selimi (PDK). Propozimet që erdhën nga LDK e PDK, si dy subjekte me më së shumti anëtarë nga opozita (LDK-14 dhe PDK – 5), nxorën kandidatura sa për t’u plotësuar kriteri që parasheh statuti i Komunës, “…më tepër se dy kandidatë…”
Është interesant fakti se për kryesues u zgjodh Kadriu, që është anëtari i vetëm që ka Vatra në Kuvend, ndërkohë që LDK e PDK, për arsye të tyre, u pa që “nuk e donin”, këtë pozitë, për arsye që i dinë vet ata.
Vetëvendosje që iu shkarkua kryesuesi i tyre, pas prishjes së koalicionit mbeti pakicë dhe nuk pati interesim të mëtutjeshëm për kryesues, duke ia lënë opozitës shumicë këtë pozitë, por edhe përgjegjësitë si shumicë e Kuvendit.
Sidoqoftë, nga sot e tutje, Kuvendi Komunal i Gjilanit do të drejtohet nga Kushtrim Kadriu. /2LONLINE/