Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dërguar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të bërë interpretimin e neneve të Kushtetutës që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e saj si presidente për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re. Gjykata Kushtetuese është shprehur e gatshme ta shqyrtojë këtë kërkesë me profesionalizëm. Njohësit e çështjeve kushtetuese, e konsiderojnë të drejtë kërkesën e presidentes Jahjaga.
Anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duket se edhe këtë vit do t’u duhet t’i shtyjnë pushimet e verës, siç u ndodhi vitin e kaluar. Kjo pasi që tashmë kjo gjykatë ka për shqyrtim kërkesën e presidentes Jahjaga për qartësim të veprimit kushtetues për caktimin mandatarin për formimin e Qeverisë së re.
Në fillim të kësaj jave, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani tha se nëse do të ketë kërkesë të tillë, gjykata do ta shqyrtojë në afat rekord dhe me profesionalizëm.
“Nëse vjen rasti pranë nesh, unë ju siguroj juve dhe gjithë qytetarët se gjykata do të veprojë me profesionalizëm dhe përgjegjësi, siç ka vepruar deri më sot dhe do të vendos në një afat rekord dhe do të bëjë maksimalisht, siç ka qenë rasti vjet kur ne nuk kemi shkuar në pushim për shkak të Ligjit për amnisti, Ligjit për buxhet dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”, u shpreh Hasani, transmeton RTK.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Flamur Hyseni e konsideron të drejtë veprimin e presidentes Jahjaga për të kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese, ndonëse thotë se neni 95 i Kushtetutës është shumë i qartë, sikurse edhe Rregullorja e punës së Kuvendit që përcakton procedurat e konstituimit të Kuvendit dhe përcaktimin e mandatarit për qeverinë e re.
Por, Hyseni thotë se në këtë rast më shumë ka paqartësi politike. “Presidentja në të njëjtën kohë e luan edhe rolin e institucionit politik dhe ka edhe obligime politike dhe natyrisht që gjithë kjo bujë mediale politike e shkaktuar ditëve të fundit, sidomos pas të hënës së parë pas zgjedhjeve, natyrisht se kërkon një lloj respekti indirekt që duhet drejtuar gjykatës kushtetuese për të shkuar në veprim të sigurtë”, tha Hyseni.