Kush do ta lartësojë dhe përlëvdoj ashtu si e meritoi populli shqiptar i Kosovës?!
Shkruan: Arsim Kastrati
Të kujt fjalë, cili çmim apo përmendore do të ishte e denjë për përpjekjet dhe sakrificat e mëdha që i bëri ky popull në fundshekullin e kaluar, kur nga gjiri i tij i nxori dhe i mbështeti me shumicën e tij pothuajse absolute dy lëvizje çlirimtare?
Këto lëvizje, njëra politike dhe tjetra ushtarake, të ndërmarra nga rinia patriotike dhe intelektualët e dalluar, e udhëhoqën këtë popull nëpër rrugën e lavdishme të lirisë së tij të shumë pritur.
E mbështeti Ibrahim Rugovën duke e ditur që forca e tij dhe e lëvizjes të cilën ai e udhëhiqte krahasuar me forcën e Serbisë ishte dukshëm më e vogël.
E mbështeti me çka pati edhe UÇK-n duke e ditur që edhe ajo s’matej dot me forcat e armatosura të Serbisë.
Dhe e pagoi çmimin e lirisë ky popull, me vrasje masive, me gjymtime fizike, me dhunime masive, me djegie të vatrave shtëpiake dhe eksod biblik e me shumë e shumë vuajtje e fatkeqësi të tjera në llogari të tij, duke mos pranuar asnjëherë të bashkëpunonte me agresorin, as me t’mirë e as me t’keq.
Pas lufte një numër njerëzish, ish veprimtarë dhe ish luftëtar shqiptarë, këmbëngulën për ti caktuar vetës së tyre lavdi dhe për të korrur të mira materiale bazuar në veprimtarinë e tyre të para dhe gjatë luftës.
Dhe ky populli i flijuar si para ashtu dhe gjatë luftës, pranoi me dëshirë e vullnet që ti shpërblejë bujarisht këta veprimtarë të përpjekjeve të përbashkëta për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
Tashmë është e ditur për të gjithë në Kosovë se përvetësimi i të mirave të përbashkëta tokësore nga kjo pakicë e popullit shqiptar në Kosovë u bë shumë e madhe, u teprua dhe shkoi aq larg sa e kërcënoi dhe po vazhdon ta kërcënoj edhe mirëqenien edhe ardhmërinë e popullit e të shtetit të Kosovës!
Për këtë korrje është folur mjaft dhe vazhdon të flitet por për flijimin e madh dhe për meritën e madhe të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe shtetndërtim më duket që nuk është folur sa e si duhet.
Shërbimi dhe shpërblimi më i mirë për sakrificën e madhe të popullit shqiptar në Kosovë do të ishte largimi nga pozicionet politiko-institucionale të superkorrësve të të mirave materiale të këtij populli e të këtij nënqielli!
Ose të paktën vetëdijesimi i disave nga ta në pozitat ku ndodhen, që të jenë më të matur dhe më të vendosur në punët e shtetit dhe të shoqërisë në mënyrë që ky popull të përparojë e jo të ngecë në vend apo edhe të mbrapashkoj!
Ky popull meriton dhe duhet të nxjerr nga gjiri i tij një brez politikanësh dhe liderësh që e nderon dhe e përparon!
Pastë korrje e jo kori ky popull që ka vuajtur shumë gjatë historisë së tij!