Derisa qytetet janë burimi kryesor i ndotjes, ato janë edhe bërthama nga ku fillon zgjidhja e problemit që kemi me ndotjen dhe krizën mjedisore. Transformimi i qyteteve nënkupton qeverisje me një mendësi tjetër dhe planifikim të mirëfilltë strategjik në harmoni me natyrën, the Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në shënimin e Ditës Botërore të Habitateve.
Në fjalën e tij, në ngjarjen e organizuar nga UN Habitat, vëmendje e veçantë iu kushtua qyteteve dhe kapaciteteve që kanë ato në reduktimin e nivelit të emetimeve të karbonit, ndërsa prodhimi i energjisë, transporti dhe ngrohja individuale u theksuan si kontribuuesit më të mëdhenj në emetimin e gazrave.
“Është e domosdoshme që ne të ndërmarrim hapa konkret në reduktimin e nivelit të lartë të ndotjes së ajrit që kemi në qytetet tona, i cili ndikon në shëndetin e qytetarëve tanë me vdekje të parakohshme dhe cilësi të dobët të jetës”, tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi se qytetet që kemi sot ofrojnë mundësi të shumta që të reduktojmë nivelin e dioksidit të karbonit dhe në të njëjtën kohë të përmirësojmë standardet e jetesës, duke bërë qytetet tona të shëndetshme dhe me ekonomi të qëndrueshme.
Kryeministri tha se me mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tonë ne mund të zhvillojmë një sistem të transportit publik më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.
“Kjo do të na ndihmojë të ulim emetimet, të përmirësojmë cilësinë e ajrit, zhurmën, shëndetin, mirëqenien, të zvogëlojmë bllokimet dhe të krijojmë vende pune me cilësi të lartë,” shtoi ai.
E hëna e parë e tetorit të çdo viti është përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për shënimin e Ditës Botërore të Habitateve, që këtë vit u shënua me temën “Përshpejtimi i aksioneve urbane për një botë pa karbon”. Qëllimi i kësaj dite është reflektimi mbi gjendjen e habitateve tona dhe mbi të drejtën themelore të të gjithëve për strehim adekuat dhe si përkujtim për fuqinë dhe përgjegjësinë që kemi në formësimin e të ardhmes së qyteteve dhe qytezave tona./2LONLINE.com/