Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ai i AAK-së Ramush Haradinaj e lideri i Nismës, Fatmir Limaj, u priten nga kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti në takimin e radhës të bllokut opozitar. Partitë e koalicionit opozitar në njërën anë dhe Vetëvendosje në anën tjetër diskutuan për hapat e mëtejmë drejt përafrimit të qëndrimeve para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet më 17 korrik.
Pas takimit Kurti tha se askush nuk është kundër dialogut me Serbinë, por ky dialog duhet të ketë kushte, të cilat, sipas tij, qeveria paraprake nuk i ka vënë.
“Ne nuk jemi kundër dialogut në parim, por jemi gjithsesi kundër dialogut pa parime. Mos ta harrojmë se çdo dialog ka kushte. Edhe dialogu që e ka zhvilluar kryeministri në ikje dhe zëvendëskryeministrja në ikje ka qenë dialog me kushte por ai ka qenë me kushte të Serbisë”, tha Kurti transmeton RTK.
Andaj Kurti tha se Vetëvendosje po bisedon me partitë e koalicionit LDK-AAK-Nisma për një qasje ndryshe.
“Ne mendojmë që do duhej që Kosova ta ripozicionojë veten e saj në funksion të subjektivitetit të shtetndërtimit, të dinjitetit të qytetarëve të Republikës. Pra ka përafrime të mëtejme por tash ka ardhur koha që t’i diskutojmë hollësitë, prandaj do t’i përfshijmë edhe profesionistë e ekspertë të ndryshëm, të cilët do të marrin pjesë në takimet tona të ardhshme”, tha Kurti.
http://www.rtklive.com/new/?cid=1&newsId=106236&mfM^P5w67wMx_0B%29zsGF*7&Nx5e1*1WedeI870xlV_j80Ni&l!OUc2tet^37o3MRe808Jif$DEfa8+cU9218e!dlL63fe!w6f35eBa