“Do të mund ta shënonim këtë ditë në secilin qytet apo fshat të Kosovës, sepse trupi i Kosovës i gjithi është i mbushur përplot me shenja të plagëve, të cilat për t´u shëruar kanë nevojë për të vetmin ilaç, drejtësinë. Por, jemi mbledhur këtu në Paklek, sepse ky vend është monument dhe dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë qendrore të shënimit të 22- vjetorit të çlirimit të Kosovës, në fshatin Poklek të Drenasit.
Manifestimi përkujtimor filloi me një minut heshtje në nderim të 54 civilëve shqiptarë të vrarë, anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani,Caraku e Hoxha.
Ky manifestim u organizua nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përkujtim të viktimave, krahas mirënjohjes për intervenimin e Aleancës Veriatlantike.
Në ceremoni të pranishëm ishin edhe ambasadorë e përfaqësueses diplomatik, ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë të komunave, familjarë të dëshmorëve dhe martirëve, invalidë e veteranë të luftës çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë pjesëmarrës. /2LONLINE.com/