Në ditëlindjen e 61-të të Fadil Vokrrit u bë zbulimi i shtatores së tij, pranë stadiumit të kryeqytetit që me krenari bartë emrin e legjendës së futbollit kosovar.
Në ceremoninë përkujtimore për sportistin që u nda nga jeta tre vjet më parë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, para familjarëve të Fadil Vokrrit dhe të pranishmëve të tjerë, e kujtoi karrierën e Vokrrit dhe veprimtarinë e tij sportive.
Kryeministri foli për arritjet individuale tē Vokrrit, në kohën kur çdo gjë ishte e vështirë, për emocionet që na jepte loja e tij. “Sa herë e merrte topin afër gjashtëmbëdhjetëmetërshit, i gjithë stadiumi ishte në këmbë, e kur shënonte, të gjthë ishim në ajër”, rikujtoi ai. Kryeministri Kurti ritheksoi kontributin e pazëvendësueshëm të Fadil Vokrrit në pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Shtatorja e përuruar sot, që po ashtu shënon edhe sfidat dhe sakrificat që sporti kosovar ka kaluar për të qenë këtu, le të bëhet vendtakim i sportistëve vendor dhe pikë vizituese për sportistët ndërkombëtarë, tha kryeministri në mbyllje të fjalës së tij.