“Vizioni ynë është të formësojmë një shoqëri të drejtë e të barabartë, të tillë që promovon krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie, religjioni apo kulture”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e projektit “Ura” (“Bridge”), një iniciativë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qendrës së Trajnimeve të RIT Kosovë.
“Diversiteti që ne kemi në Kosovë është vlerë e shtuar, prandaj kohezioni social dhe integrimi duhet të jenë shënjues të progresit tonë shoqëror e ekonomik”, tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi rëndësinë e arsimit dhe aktiviteteve multikulturore, që i edukojnë fëmijët e të rinjtë që të bëhen pjesëmarrës aktivë e kontribues efektivë për një shoqëri demokratike.
“Qeveria e Kosovës e sheh arsimin si platformë shumë të rëndësishme, me të cilën fuqizohen individët dhe shoqëria jonë, me të cilën krijohen potenciale që individët të shndërrohen në agjentë të ndryshimit dhe të bëhen kultivuesit kryesorë të transformimit social,” tha më tej kryeministri Kurti.
Krijimi i urave që ndihmojnë këtë komunikim të perceptimeve tona shoqërore, u vlerësua nga kryeministri si një mundësi më shumë për pranim të tjetrit dhe promovim demokratik të kulturave të ndryshme.
Bazuar në suksesin e dëshmuar të programeve të mëparshme të Ambasadës Amerikane në Kosovë, që vazhdon të jetë partner strategjik në zhvillimin social e ekonomik të Kosovës, kryeministri shprehu besimin se “Ura” do të shërbejë njëmend si urë lidhëse mes të rinjve kosovarë, të cilët kanë etni të ndryshme dhe vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës. /2LONLINE.com/