Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së Grantit për Performancë Komunale (2021) që shpërblen komunat për performancën e tyre gjatë vitit 2019.
Në hapje të ceremonisë, Kryeministri Kurti theksoi se ndarja e Grantit të Performancës Komunale përveçse shpërblim, është mjet për njohjen e meritave të Komunave të Republikës së Kosovës, që në mënyrë aktive kanë dëshmuar të jenë të përkushtuara për shërbime cilësore, në të mirë të qytetarëve.
Kryeministri u bëri thirrje komunave që të vazhdojnë me përforcimin e praktikave të mira qeverisëse dhe të jenë përfitues edhe në të ardhmen, derisa komunat që nuk kanë përfituar në këtë fazë, të rrisin angazhimin e tyre për plotësimin e kushteve të kërkuara për kualifikim.
Ceremonia e Grantit të Performancës Komunale e organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedisë dhe Norvegjisë, ku morën pjesë kryetarët e komunave, përfaqësues nga ministritë përkatëse, përfaqësues nga komuniteti i donatorëve dhe shoqëria civile. /2LONLINE.com/