Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ditën e sotme e nisi me homazhe dhe vendosjen e luleve të freskëta në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan e Llabjan të Komunës së Pejës, në 24-vjetorin e masakrës në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë mbi 120 shqiptarë.
I shoqëruar nga anëtarët e kabinetit dhe deputetë të Vetëvendosjes, kryeministri Kurti tha se në mëngjesin e hershëm të 14 majit 1999, në mes të fushatës ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, forcat e armatosura të Serbisë, hynë në fshatin Qyshk, ku ishin rreth 100 pjesëtarë të armatosur, me fytyra të mbuluara me ngjyrë të zezë ose maskë, dhe disa prej tyre kishin në kokë shalla të zinj dhe kapele të gjelbra të stilit kauboj.
Mes tyre ishte edhe grupi i quajtur “Çakallët”. Ata dëbuan me dhunë banorët nga shtëpitë, i mblodhën në qendër të fshatit, u grabitën paratë dhe stolitë e arit, ua grisën dhe dogjën dokumentet e identifikimit personal, i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, e burrat pastaj i dërguan në tri shtëpi, ku i pushkatuan dhe pastaj i dogjën.
Teksa foli për vrasjet në këto fshatra, kryeministri theksoi se për disa prej këtyre vrasjeve u iniciua gjykimi në Beograd dhe se në vitin 2010 ishte ngritur aktakuzë për 11 persona. “Pasi u dëgjuan 116 dëshmitarë, në shkurt të vitit 2014 me aktgjykim të shkallës së parë, 9 persona u dënuan. Në shkurt të vitit 2015, Gjykata e Apelit në Beograd anuloi aktgjykimin dhe ktheu lëndën në rigjykim. Në tetor të 2022 dështoi vazhdimi i rigjykimit ndaj njësisë paraushtarake serbe Çakallët në Beograd”, u shpreh ai duke potencuar se nuk ka asnjë të dënuar me aktgjykim përfundimtar.
Kryeministri Kurti u shpreh se sistemi ynë i drejtësisë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe gjykim e dënim të kriminelëve të luftës dhe urdhërdhënësve të tyre.
Krimet e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë, siç tha ai, nuk mund të falen e as harrohen.
“Proceset e rralla e të pakta gjyqësore në Serbi ishin tallje me viktimat dhe shpëlarje kriminelësh. Gjaku i të rënëve për liri nuk humbet”, tha ai, duke shtuar se kujtimi për ta është i përjetshëm. /2LONLINE/