‘’Kosova qëndron krahas shteteve partnere Evropiane në përpilimin e zbatimin e strategjive dhe në zhvillimin e miratimin e politikave të cilat në thelb e synojnë tranzicionit e drejtë drejt ekonomisë së gjelbër e të qëndrueshme’’, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e sotme “Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë”.
Teksa foli për fokusin e qeverisë gjatë mandatit të parë në adresimin e pabarazive sociale dhe ekonomike, veçoi se investimet që po bëjmë në energjinë e ripërtëritshme vijnë si rezultat i Strategjisë së Energjisë, e cila jo vetëm që është strategjia e parë e vendit tonë e bazuar në studime e analiza të thella, mirëpo është edhe strategjia e parë, e cila në thelb synon dekarbonizimin dhe tranzicionin e drejtë energjetik.
“Përmes investimeve, Korporatën Energjetike të Kosovës po e kthejmë në ndërmarrjen më të pastër duke instaluar 100 megavat energji diellore. Po ndërtojmë rezervat akumuluese me kapacitet ndër më të mëdhatë në Evropë përmes grantit më të madh në histori të vendit tonë me 236.7 milionë dollarë nga MCC, po ndërtojmë projektin e parë në Ballkan për ngrohje qendrore me energji diellore, me vlerë 80 milionë euro, po prezantojmë skema konkurruese duke filluar me ankandin e parë të energjisë diellore me kapacitet prej 100 megavat, të cilin e lansuam para dy jave’’, shtoi ai.
Përveç krijimit të vendeve të reja të punës, përmes politikave qeverisëse, kryeministri tha se do të dizajnohen edhe programe rikualifikimi për punëtorët që në të ardhmen ndërmarrjet publike dhe bizneset private të kalojnë sa më lehtë në ekonomi të gjelbër.
Në fjalën e tij, kryeministri listoi angazhimin e qeverisë, nismat dhe projektet që janë bërë dhe planifikohen të bëhen për të kontribuar në një mjedis të pastër, por që siç theksoi ai, një zhvillim i qëndrueshëm arrihet atëherë kur sigurohemi që përgatitemi e përshtatemi ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, andaj edhe lobimi ynë për drejtësi klimatike ndaj Kosovës nuk do të ndalet.
Në këtë konferencë, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, zëvendësministra, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe përfaqësues të ndryshëm të institucioneve e organizatave. /2LONLINE/