Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka qëndruar në SHBA ditëve të fundit, gjatë një interviste dhënë Zërit të Amerikës, duke folur për mos-kalimin e ligjit për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ka thënë se kronologjia e zhvillimeve dhe ngjarjeve përkatësisht më këtë çështje e tregon kuptimin e asaj se çfarë ka ndodhur.
Ai tha se fillimisht ekziston marrëveshja e prillit të vitit 2011, që Kosova të jetë me shumë zona zgjedhore. Por, sipas tij, meqenëse kjo nuk u realizua, atëherë Serbia e pa që duhet të kërkojë edhe mandate shtesë për vendet e rezervuara, pasi që nuk do të mund ta ketë zonën serbe brenda Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.
“Ata synonin që të ishin gjashtë, apo shtatë zona shqiptare dhe një zonë virtuale serbe, e përbërë prej veriut dhe enklavave. Kjo dështoi, dhe tash duan një apo dy mandate shtesë që është në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe një dëshmi më shumë që përparësitë që i kanë marrë nga plani Ahtisaari po i përdorin kundër planit Ahtisaari. Dhe duket që në bisedimet e Brukselit, kryeministri Thaçi i ka premtuar ish-kryeministrit të Serbisë Daçiq që do të vazhdojë ulëset e rezervuara për një ose dy mandate, para Baroneshës Ashton atje”, ka thënë Kurti mes tjerash.
Dhe tash, duke pas parasysh se e ka dhënë këtë premtim atje, Kurti thotë se kryeministri po përpiqet që edhe Kosova të përfitojë diçka, konkretisht Forcat e Armatosura të Kosovës. Ai thotë se FAK-u edhe ulëset e rezervuara nuk duhet të lidhen me njëra-tjetrën, dhe as me premtimet që i ka bërë kryeministri në Bruksel.
“Ne kemi nevojë për ushtri, dhe ushtria e Kosovës, e quajtur Forcat e Armatosura të Kosovës nuk është kundër serbëve, nuk është kundër asnjë minoriteti në Kosovë, ajo mund të jetë vetëm kundër pretendimeve të Serbisë për Kosovën. Prandaj, të gjithë ato që kundërshtojnë
Forcat e Armatosura të Kosovës, në fakt nuk përfaqësojnë as qëndrim minoritetesh, por përfaqësojnë qëndrimin e Beogradit i cili e kundërshton këtë gjë”, ka thënë Kurti. Ai është shprehur kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara për pakica pasi që, sipas tij, ato na e minojnë shtetësinë neve, duke e bërë Kosovën një vend jofunksional.