Kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e 44-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ndër tjerash ka thënë se dialogu, bisedimet, nuk janë për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellët.
“Sa i përket raportit me Serbinë, ju të gjithë tashmë i dini katër propozimet të cilat i kemi dhënë më herët, e që janë theksuar edhe nga takimi i 15 qershorit në Bruksel. Por sot me lejoni të potencojë katër qëndrime të rëndësishme për ecjen përpara. Të gjithë e dimë kërkesën për marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën. Pra, një marrëveshje e cila ka vetëm njohjen nga Serbia por që nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohje nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, “marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, nga pikëpamja e bindja jonë, atëherë kur ajo ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare, sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës të Vjenës për Ligjin mbi Traktatet”.
“Po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin apo lehtësimin BE-së. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht, por, duhet ta dinë qysh në fillim që dialogu, bisedimet, nuk janë për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellët”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ai shtoi se pavarësia që e kemi është kompromis. “Pavarësinë nuk e kemi shpallur vitin e kaluar, por para 13 viteve dhe 4 vitet e para pavarësia e kishte Piter Faith-in sipër si autoritet sovran, ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisarin brenda, këtij kompromisi që është dashur ta sjell një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë. Këto katër qëndrime që i potencova sot sigurisht se janë udhërrëfyes të vlefshëm për ecjen e drejtë dhe të mirë përpara”, ka thënë, ndër tjerash, kryeministri Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, gjatë fjalimit të tij, në mbledhjen e 44-të të Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti politik. /2LONLINE.com/