(2L ONLINE) – Ismajl Kurteshi kreu i Vetëvendosjes, Qendra në Gjilan, ka thënë se me iniciativën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, në seancën e 6 nëntorit të Kuvendit Komunal dhe pa votën e opozitës është ndryshuar statuti i Komunës, që për rrjedhojë kemi shuarjen e dy drejtorive.
Kurteshi, ka thënë se shuarja e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është bërë me qëllim të përfitimit politik të Kryetarit të Komunës i cili me futjen e rinisë, sportdashësve dhe njerëzve të kulturës nën ombrellën e zyrës së tij, synon rritjen e ndikimit politik të tij mbi këto kategori shumë të rëndësishme shoqërore.
“Mungesa e kësaj drejtorie do t’i sjell në një pozitë edhe më të rëndë këto kategori shumë të rëndësishme shoqërore,rininë, sportistët dhe njerëzit e kulturës dhe këto fushë veprimtari të rëndësisë së veçanet”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, edhe shuarja e Drejtorisë së Inspeksionit ishte e gabueshme. Kurteshi tha se edhe ekzistenca e deritanishme e Drejtorisë së Inspekcionit realisht pothuajse nuk është vërejtur për një kohë të gjatë, e sidomos që nga ardhja e Lutfi Hazirit në pushtet.
Por, sipas tij, mosveprimi i kësaj drejtorie nuk mund të bëhet alibi për shuarjen e saj, përkundrazi po të ishte Komuna e interesuar për të vënë rend e rregull do ta forconte këtë drejtori shumë të nevojshme për komunën.
Përndryshe, Kurteshi mospunën e kësaj drejtorie e argumenton me faktin, siç thotë ai, të ndërtimeve pa leje. Pastaj komuna për ta arsyetuar mosveprimin e saj, ka vazhduar me praktikën e vjetër të ridizajnimit të planeve rregullative për t’ia përshtatur ato kërkesave të disa bizneseve të dyshimta me shpenzime të taksapaguesve gjilanas.
Po ashtu edhe papastërtia në hapësirat publike, pirja e duhanit në pothuajse 99% të hapësirave publike, hedhja e mbeturinave me kamion gjithandej në hapësira të gjelbëruara e përskaj rrugëve, prerja e asfaltit pa leje, zërja e trotuareve dhe shumë defekte të tjera në fusha të ndryshme, sipas Kurteshit të Vetëvendosjes, dëshmojnë vdekjen klinike të kësaj Drejtoria. /2L ONLINE/