(2L ONLINE) – Sipas Ismajl Kurteshit, njeriut të parë të Vetëvendosjes në Gjilan, fushata e “dietës” e shpallur nga i pari i komunës, nuk po vlen për kryetarin dhe kastën e tij që po rrinë në zyra të ngrohta, por i ka përfshi fëmijët në shkolla e biblioteka dhe pacientët dhe punëtorët e shëndetësisë në ambulanca, të cilët këtë iniciativë të kryetarit po e paguajnë me humbje të mësimit, shkurtim të orëve të mësimit, dhe me sëmundje që vijnë nga të ftohtit.
Kurteshi, ka thënë se vite me radhë drutë për ngrohjen e shkollave janë ble me çmime shumë më të larta se çmimi i tregut, madje gjatë pranimit të tyre shpesh ato nuk janë matur nga autoritetet komunale, kështu janë krijuar mundësi që përveç vjedhjes në çmim të vidhet edhe në sasi. Por, sipas tij, përkundër këtyre keqpërdorimeve, nxënësit e kanë pas ngrohët gjatë orëve të mësimit. Edhe në vitin 1999 kur Komuna e as Kosova nuk ka pas buxhet të vetin, UNMIK-u pat siguruar lëndë djegie për ngrohjen e shkollave në Komunën e Gjilanit.
Por, sipas Kurteshit tani për nxënës, studentë në shkolla a biblioteka, pacientë e punëtorë shëndetësor nëpër ambulanca, “dieta” e kreu të komunës po i mërdhinë ata, derisa për pushtetarë është ngrohtë në zyrat e tyre.
Kurteshi që njëherësh është edhe deputet i Parlamentit të Kosovës, thotë se ky skandal që po i sjell dëme të mëdha gjeneratës më të re dhe shëndetligjve po arsyetohet me mungesë të mjeteve financiare në kohën kur kryetari të komunës dhe administrata komunale nuk po ju mungon asgjë.
“Se Komuna e Gjilanit nuk është pa para por është pa pari, me këtë rast po e përmendim vetëm një argument: Në raportin financiar të Komunës së Gjilanit, për nëntë muajt e parë të këtij viti përveç tjerash është raportuar se zyra e Kryetarit të Komunës për këta nëntë muaj i ka shpenzuar 514.369 euro, kurse vetëm për mallra e shërbime i kanë shpenzuar 217.831 euro. Po të kishte pari Komuna nuk do të ndodhnin skandale njëra pas tjetrës deri te ky që në nëntor shkollat, biblioteka e qytetit dhe shtëpitë e shëndetit të mos kenë ngrohje”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, me ligj është e paraparë që ngrohja në objektet publike duhet të filloj ose se paku lëndët për ngrohje duhet të jetë gati për përdorim me 15 tetor. Për objektet komunale komunat janë të obliguara ta sigurojnë ngrohjen. Kjo do të thotë se i pari i komunës është e obliguar të kujdeset për sigurimin e druve. Komuna në vend të përmbushjes së obligimit të saj ligjor, po merret me shkurtimin e orëve të mësimit, që paraqet shkelje ligjore, sepse nuk është kompetencë e saj.
“Po të funksiononte shteti përgjegjësit për këtë dëm që e kanë sjell, duke e pamundësuar funksionimin normal të arsimit dhe shëndetësisë do të jepnin llogari para organeve të drejtësisë. Po të funksiononte ndjenja e përgjegjësie përgjegjësit do të ju kërkonin falje qytetarëve për dëmet e shkaktuara para se të largoheshin nga zyrat e ngrohta për tu mos u kthye më aty”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, në këtë situatë kur nuk funksionojnë as njëra as tjetra, dashtë e pa dashtë imponohen pyetja: Po prindërit (qytetarët) ku janë? Ku është shoqëria civile? Ku është opozita?
“Kërkojmë nga kompetentët që urgjentisht t’i sigurojnë drutë për ngrohje. Kërkojmë drutë të maten me rastin e pranimit. Kërkojmë që përgjegjësit e kësaj avarie të përgjigjen për mos kryerjen e punëve për çka e kanë marr besimin e qytetarëve dhe paguhen mirë për punët që duhet t’i i bëjnë”, ka thënë Ismajl Kurteshi, kreu i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan. /2L ONLINE/