/2L ONLINE/ – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, iu është drejtuar me një letër të hapur deputetëve të Parlamentit të Kosovës, ku ka kërkuar nga ta, që të mos e votojnë formën e tanishme të demarkacionit.
Kurteshi ndër tjerash thotë se, do të votojnë “Për” këtë formë të demarkacionit vetëm ata deputetë që nuk e kuptojnë peshën e përgjegjësisë e cila është më e rëndë se që mund ta bartë cili do qoftë prej nesh. Ata që votojnë “Për”, padrejtësisht do t’ua lënë një barrë të rëndë pasardhësve të tyre, që realisht nuk kanë asnjë ndikim në vendimin që sot secili prej nesh e merr…
Ai, letrën e tij e hap dhe e mbyll me një thënie të Viktor Hygos – “Atje ku detyra është krejt e qartë, ngurrimi është disfatë”.
Ja letra e tij e plotë:
Atje ku detyra është krejt e qartë, ngurrimi është disfatë.
Viktor Hygo
Të nderuara kolege dhe kolegë deputetë,
Për një vit sa po zgjatë çështja e demarkacionit, të gjithë ata që kanë qenë të interesuar e kanë mësuar të vërtetën nga dokumentimi i ekspertëve të pavarur, dokumentet e botuara jashtë Kosovës dhe në Kosovë, nga autorë vendorë dhe të huaj, enciklopeditë, Publikimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, hartat, debatet, rrëfimet e banorëve të zonës së kontestuar etj.
Tani më, asnjëri nga ne, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk është i pa informuar, secili prej nesh e di se Komisioni Shtetëror, bashkë me Kryeministrin dhe Presidentin, kanë bërë lëshime të rënda në këtë proces. Ata nuk e kanë respektuar Rezolutën e 25 qershorit 2015 të Kuvendit në lidhje me demarkacionin; ata nuk kanë qenë fare transparent; ata nuk i kanë përfillur kërkesat tona, kërkesat e 205.000 nënshkruesve të peticionit dhe as kërkesat e protestuesve të shumtë për rishikimin e procesit të demarkacionit; ata e bënë dhe po e bëjnë argatin e djallit.
Sado e pavend që ka qenë ndërhyrja e ambasadorëve të huaj, që shpesh kompetencat e tyre i ngatërronin me ato të guvernatorëve, ata asnjëherë nuk kanë kërkuar që ne t’i falim tokë Malit të Zi dhe as ta shkelim Kushtetutën tonë. Ata në fund të ndërhyrjeve të tyre zakonisht deklarojnë se vendimmarrja është përgjegjësi e institucioneve të vendit dhe se pavarësisht se çka ndodh me demarkacionin marrëdhëniet e vendeve të tyre me Kosovën do të mbeten ato që janë.
Të nderuara kolege dhe kolegë deputetë, përgjegjësia për votën “Kundër” ose “Për” demarkacionin është personale. Asnjeri nga ne nuk mund të arsyetohemi se nuk e ka kuptuar sa e dëmshme është vota “Për” pazarin me një pjesë të territorit të Kosovës. Në rastin e votimit për këtë formë të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, vendimin duhet ta marrin deputetët bazuar në bindjet e tyre personale.
Do të votojnë “Për” këtë formë të demarkacionit vetëm ata deputet që nuk e kuptojnë peshën e përgjegjësisë e cila është më e rëndë se që mund ta bartë cili do qoftë prej nesh. Ata që votojnë “Për” padrejtësisht do t’ua lënë një barrë të rëndë pasardhësve të tyre, që realisht nuk kanë asnjë ndikim në vendimin që sot secili prej nesh e merr.
Kolege dhe kolegë deputetë, të kemi shumë kujdes!
Vota “Për” pazarin e Komisionit shtetëror, të Hashimit dhe Isës, është e barabartë me shitjen e interesave të vendit. Këtë tani më secili prej nesh e ka kuptuar. Prandaj cili do nga ne që hyn në këtë aventurë herët a vonë do të përgjigjet para drejtësisë dhe qytetarëve që na e besuan përfaqësimin.
Prandaj, edhe njëherë, të mendojmë mirë, para se të votojmë!
Të nderuara kolege dhe kolegë, është e qartë se detyrë e jona është angazhimi në përputhe të plot me betimin e deputetit, me që rast ne jemi … betuar se me nderë e me përkushtim do ta kryej detyrën tona dhe do ta përfaqësojmë me dinjitet popullin, do të punojmë në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohemi për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale … . Prandaj të nderuar kolege dhe kolegë deputet të mos ngurrojmë, ta kryejmë detyrën tonë, sepse ngurrimi është dështim që nuk i duhet askujt, e më së paku Kosovës.
Këtë letër po e përmbyll me një thënie të Viktor Hygos, që e meriton vëmendjen tonë në këtë moment shumë të rëndësishëm për vendin dhe për secilin prej nesh. Hygo thotë: Atje ku detyra është krejt e qartë, ngurrimi është disfatë.
Ismajl Kurteshi