(2LONLINE) – Asambleja Komunale e Gjilanit do të përbëhet nga 11 subjekte që plotësojnë 35 ulëse në vendimmarrjen komunale. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka 11 ulëse, Partia Demorkatike e Kosovës (PDK) – 8, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës & Lidhja Demokratike e Dardanisë (AAK-LDD) – 4, Vetëvendosje – 4, Aleanca Kosova e Re (AKR)-2, kurse nga një ulëse kenë Partia e Drejtësisë (PD), Lëvizja Vatra (LV), Lëvizja Republikane (LR), Partia Social Demokrate (PSD), Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) dhe Za Evropsko Pomoravlje (ZEP).
Ndonëse ka përfolje të shumta për koalicione të mundshme, Lutfi Haziri, kryetari i zgjedhur i komunës së Gjilanit, që do të jetë në krye të kësaj komune në katër vitet e ardhshme, ka potencuar disa herë deri më tani se do të kenë koalicion me qytetarët duke përjashtuar momentalisht koalicion të LDK-së me ndonjë subjekt tjetër politik, ndërkohë që burimet e 2lonline brenda këtij subjekti politikë, thonë se ka zëra të shumtë që do donin për partnerë Lëvizjen Vetëvendosje, e jo ndonjë tjetër.
Kjo, sipas këtyre LDK-istëve, do të ishte e qëlluar për faktin se kjo Lëvizje nuk ka qenë deri më tani asnjëherë pjesë e qeverisjes lokale dhe po ashtu ithtarët e kësaj ideje do të donin që në opozitë t’i i lenin PDK-në e AAK-në, për të cilat, edhe në nivel të përgjithshëm, shihet përafrimi i tyre, sidomos kur janë në pyetje zgjedhjet nacionale.
E, këto zëra thonë të kenë shkuar edhe në vesh të drejtuesve të Vetëvendosjes, por se duket se ata të jenë të përcaktuar definitivisht për të qenë pjesë e opozitës. Ismajl Kurteshi, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, ka pohuar një gjë të tillë, por se ka thënë se Vetëvendosje do të jetë përfundimisht opozitare në asamblenë komunale të Gjilanit, ku ajo do të merr pjesë me katër këshilltarët e saj.
“Po, jemi në dijeni për këtë, por se ne do të mbetemi opozitarë duke qenë një opozitë aktive dhe e drejtpërdrejtë për të ndihmuar kështu të kemi një qeverisje të drejtë. Përndryshe, nëse do të ishim pjesë e pozitës do ta lenim Gjilani shumë keq, pa një opozitë që i nevojitet e që është tejet e rëndësishme”, ka thënë Kurteshi për 2lonline.
I pyetur se a mendon se të tjerët nuk do të mund të luanin mirë rolin e opozitës, Kurteshi ka thënë se nuk dëshiron të prejudikon por se vetëm mendon se Gjilani ka nevojë për një opozitë çfarë mund të jetë vetëm Vetëvendosje, edhe kjo për të mirën e Gjilanit dhe qytetareve të saj, interesat e të cilëve duhet t’i përfaqësojë Kuvendi.
“Ne do të jemi opozitë, nuk ka dilemë. Tek e fundit, ne kemi garuar për të fituar dhe qytetari me votën e tij e ka përcaktuar pozitën tonë. Pra vota na ka përcaktuar rolin opozitarë për këtë mandat dhe atë do ta kryejmë siç është më së miri”, ka thënë Kurteshi i Vetëvendosjes, duke e vulosur çështjen e saj, sa i përket koalicionit të mundshëm me partinë fituese.
Përndryshe, mbledhja solemne inauguruese e Kuvendit Komunal të Gjilanit do të mbahet më 24 dhjetor. Mbledhja është ftuar nga kryetari i zgjedhur i Komunës, Lutfi Haziri, i cili edhe do ta jap betimin, ndërkohë që edhe 35 anëtarët e rinj të asamblesë komunale do të bëjnë betimin dhe do të nënshkruajnë deklaratën solemne për marrjen e detyrës.
Përndryshe, anëtarë të Kuvendit Komunal janë: Lutfi Haziri, Valentina Bunjaku-Rexhepi, Avdyl Aliu, Isa Agushi, Imet Rrahmani, Arben Mehmeti, Nevzad Rushiti, Zijadin Maliqi, Shpresa Kurteshi, Jehona Hyseni, Florina Jerliu (LDK), Izmi Zeka, Bujar Nevzati, Riad Rashiti, Sahit Abazi, Bajram Hasani, Shukrije Rapuca, Leonora Bunjaku, Fatbardha Selmani (PDK), Selami Xhemaili, Ibish Ibishi, Mevlyde Zejnullahu, Adelina Berisha (AAK-LDD), Nevzad Isufi, Fehmi Sylejmani, Besa Baftiu, Arijeta Rexhepi (VV), Arben Maliqi, Mizafere Ismajli (AKR), Selver Xhelili (LR), Labinotë Demi-Murtezi (PD), Sejdulla Kadriu (Vatra), Kadir Hysein (KDTP), Ismet Hajdini (PSD) dhe Srgjan Mitroviq (ZEP). /2lonline/