(2L ONLINE) – Për Lëvizjen Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, Lutfi Haziri është vetëm formalisht kryetar i Gjilanit, sepse nuk është një kryetar që angazhohet për komunën. Drejtues të këtij subjekti politik kanë thënë se po bëhen një vit kur LDK e Hazirit, bashkë me partnerë, po qeverisë me komunën e Gjilanit, por se ky vit do të mbahet mend vetëm si viti i fjalëve të mëdha por jo edhe i punëve të mëdha, përkundër premtimeve të bëra.
Ismajl Kurteshi, koordinator i Vetëvendosjes, Qendra në Gjilan, ka thënë se kryetari i komunës së Gjilanit, pjesën më të madhe, të këtij viti, më tepër është marr me punë partiake, në qendër, me bërjen a zhbërjen e koalicioneve, apo edhe me udhëtime jashtë vendit, të cilat nuk i kanë sjellë komunës së Gjilanit asnjë të mirë, sesa me punët që i takojnë një kryetari komune.
Ai tha se Gjilanit i nevojitet një kryetar 7 ditë në javë, 24 orë në ditë, që është në dispozicion të komunës, e jo një kryetar që me gjithçka tjetër merret, por vetëm me punën e kryetarit të komunës jo.
I pari i Vetëvendosjes në Gjilan tha se ky viti i qeverisjes Haziri karakterizohet si një viti i fjalëve të mëdha, por jo edhe i punëve të mëdha edhe pse Haziri ka premtuar përgjatë fushatës por edhe pas marrjes së mandatit se do të bëhen punë të mëdha.
Për Kurteshin, kryetari i komunës vetëm po arsyetohet me borxhet të mëdha që ka trashëguar , ndërkohë që ka pasur shumë pak investime dhe se edhe ato investime kanë qenë me kualitet të dobët, për çka sipas Kurteshit, shumëçka nuk po pranohet as teknikisht nga ekipet përkatëse.
Kurteshi adresoi kritika edhe në sfera konkrete si tek punësimi, arsimi e sektorë tjerë, për ët shtuar se kemi të bëjmë me një viti qeverisje me plotë të meta.
E, nga kritikat e Kurteshit të Vetëvendosjes, nuk ka shpëtuar as kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku – Rexhepi. Pasi Kurteshi ka thënë për të, se edhe ajo më tepër është marrë dhe ka menduar për rritje të mëditjeve por se nuk i ka lënë keq as vizitat jashtë vendit, duke bërë harxhime të buxhetit, me ekip të fryrë në ato vizita, dhe duke mos sjellë prej tyre të mira për komunën. /2L ONLINE/