Java për të drejtat e grave, në Gjilan, po shënohet me një sërë aktivitetesh, ku po nënvizohen kontributi dhe meritat e gruas në proceset vendimtare, nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë rrugëtimit të saj historik, deri te liria, pavarësia dhe shtet-ndërtimi.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini ka pritur sot në një takim tri heroinat e qytetit të Gjilanit, Fatime Ahmeti, Hyrije Baftiu dhe Mevlide Hyseni, gra të dëshmorëve.
Kurteshi-Emini i ka falënderuar heroinat për qëndresën që kanë treguar përballë dhembjes së madhe me të cilën i ka sfiduar jeta, për kurajën që kanë gjetur për t`u kujdesur dhe për të ruajtur familjen dhe për të kontribuar për vendin e tyre.
“Pa këto përpjekje, pa këtë rezistencë, pa këtë luftë e pa këto sakrifica e flijime të burrave e grave tona, zor se do të kishim arritur në këto ditë që po i gëzojmë sot”, ka thënë ajo.
Pa asnjë dyshim, se liria ka qenë gjakimi kryesor i dëshmorëve të vendit, mes tyre edhe i bashkëshortëve të këtyre heroinave.
“Përkushtimi i këtyre zonjave ndaj fëmijëve dhe familjes, si qeliza më e rëndësishme e shoqërisë, i bën ato heroina të vërteta, sepse kësisoj kanë respektuar amanetin e bashkëshortëve për t`u sakrifikuar për shtet e për atdhe”, tha Kurteshi-Emini, duke shtuar se vetëm heroinat si Ahmeti, Baftiu e Hyseni mund t`i sfidojnë dhembjet për humbjet e mëdha në familje.
Ndërkaq, heroinat e qytetit, Fatime Ahmeti, Hyrije Baftiu e Mevlide Hyseni, kanë falënderuar institucionet komunale për kujdesin e vazhdueshëm ndaj familjeve të tyre, duke thënë se liria dhe pavarësia e një populli janë vlera që nuk vijnë pa sakrifica të mëdha.