Për nder të përvjetorit të epopesë së UÇK-së, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur seancë solemne, ku kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini ka thënë se sot populli i Kosovës kujton dhe nderon heroizmin dhe sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve tjerë që dhanë jetën për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
Ne sot nderojmë sakrificën dhe veprën e heronjve tanë, të cilët nuk kursyen asgjë, as jetën e tyre, për të na dhuruar neve ditët që po i gëzojmë sot.
Lufta e UÇK-së dhe të gjithë atyre që kanë shkrirë gjithçka për lirinë e vendit, do të mbetet gjithmonë një vepër e nderuar dhe e paharruar.
Detyra jonë sot është që të angazhohemi me potencialin tonë krijues dhe intelektual në jetësimin e amanetit të dëshmorëve, që të kemi një shtet të sigurt, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, ka thënë Kurteshi-Emini.
Ndërkaq, Rashit Ymeri, në emër të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, tha se sot jemi tubuar këtu që të përkujtojmë ngjarjen më të rëndësishme dhe më të madhe, 5, 6 e 7 marsin, të kujtojmë Adem Jasharin dhe familjen e tij, që u sakrifikuan për lirinë e atdheut.
Në këtë ditë, ne nderojmë njëherësh dëshmorët e të gjitha kohërave, ka thënë Ymeri. /2LONLINE.com/