Komiteti për Politikë dhe Financa, nën drejtimin e kryesueses Shpresa Kurteshi-Emnini ka mbajtur sot takim publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitin fiskal 2022 si dhe vlerësimet e hershme për vitet 2023-2024, ku drejtoresha Meral Sadriu Vokshi ka shpalosur vizioni zhvillimor komunal për tri vitet e ardhshme.
Korniza Afatmesme Buxhetore, si dokument themeltar financiar për përcaktimin e sektorëve prioritarë të zhvillimit dhe identifikimin e prioriteteve për periudhën 2022-2024, për tri vitet e ardhshme parasheh një rritje të buxhetit nga 27.734.737 milionë (2021) në afër 32 milionë (2024).
Buxheti i vitit 2022 do të jetë 29 milionë, i vitit 2023 – afër 30.5 milionë, për të arritur në rreth 32 milionë në vitin 2024.
Edhe të hyrat komunale, që realizohen nga tatimi në pronë dhe taksat e ngarkesat për shërbime, do të shënojnë ngritje të vazhdueshme, nga viti në vit, që më 2024 do të arrijnë në 5 milionë, apo një milion më shumë se në vitin 2021.
Të hyrat nga tatimi në pronë dhe tokë do të dyfishohen deri në vitin 2024, përkatësisht do të rriten nga 1.3 milion (2021), në 2.6 milionë (2024).
Tendencë të rritjes së përhershme ka edhe te investimet kapitale, të cilat nga 6.2 milionë, sa janë këtë vit (2021), do të shkojnë deri në 8.2 milionë deri në vitin 2024, ka thënë drejtoresha Sadriu Vokshi.
Në debat për KAB-in, me pyetje për investime në lokalitetet e tyre, kanë marrë pjesë Skënder Bajrami (Velekincë), Latif Maliqi (Malishevë), Ruzhdi Selimi (Nasalë) dhe të tjerë, derisa përgjigje kanë dhënë drejtorët Meral Sadriu Vokshi, Valbona Tahiri dhe të tjerë.
Drejtori i Administratës Bardhyl Syla kërkoi që në planifikimin buxhetor për vitin 2022 të përfshihet edhe kompensimi i kryetarëve të këshillave lokale, duke nënvizuar faktin se Kuvendi Komunal ka miratuar një vendim për këtë qëllim si dhe ka nxjerrë një rregullore për funksionimin e këtyre njësive administrative në nivel lokal. Disa këshilla lokalë janë themeluar që në vitin 2019 por kryetarët e tyre nuk janë kompensuar asnjëherë deri tani, tha Syla.
Kërkesa për kompensim të këshillave lokalë u mbështet edhe nga Mimoza Kadriu, këshilltare komunale, duke rikujtuar se Kuvendi i ka kryer procedurat e nevojshme sa i përket këtyre këshillave.
Gentrit Murseli kërkoi që të përfshihet subvencionimi i OJQ-ve.
Drejtoresha Sadriu Vokshi tregoi mirëkuptim për kompensimin e këshillave lokalë dhe premtoi se do të planifikohet buxhet për këtë qëllim, ndërsa sa i përket subvencionimit të OJQ-ve, drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Valbonë Tahiri tha se plani ynë është që ky segment të mbështet në partneritet me UNDP-në.
Sa iu përket investimeve kapitale, Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, i ka rikujtuar pjesëmarrësit në debat se këto kërkesa do të evidentohen gjatë dëgjimeve buxhetore, që do të organizohen muajve të ardhshëm.
‘Të gjitha kërkesat e qytetarëve për investime kapitale në vendbanimet e tyre, do të merren gjatë dëgjimeve buxhetore dhe sipas mundësive buxhetore edhe do të përfshihen në listën e prioriteteve’, ka thënë Kurteshi-Emini.
Njëherësh, KPF ka shqyrtuar sot, në një takim të veçantë edhe propozim-vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore si dhe rrënimin e objekteve të institucioneve publike në zonat e planeve rregulluese urbane, të cilin e ka rekomanduar për Kuvend Komunal, pas sqarimeve të nevojshme që i ka dhënë drejtori i Urbanizmit, Bekim Bajrami.
KPF e rekomandoi për Kuvend edhe kërkesën e Lëvizjes “Vatra’ për zëvendësimin e dy anëtarëve të saj në Komitetet komunale. /2LONLINE.com/