Lidhur me reagimin dhe kritikat e Nevzad Isufit, shef i grupit të anëtarëve të kuvendit komunal të Gjilanit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në adresë të Shpresa Kurteshi – Emini, kryesueses së Kuvendit Komunal, ka nxitur kundër reagim nga kjo e fundit, e cila i ka vlerësuar reagimet dhe kritikat e tilla si të pabaza, të paarsyeshme dhe në kuadër të një opozitarizmi.
(shih shkrimin: Ftohet sërish seancë e jashtëzakonshme për çështjen e lokacionit të varrezave të reja)
Kurteshi – Emini ka thënë se Kuvendi Komunal i Gjilanit është duke punuar gjithmonë në harmoni me ligjin në fuqi dhe të gjitha aktet tjera normative. Ndalja e fjalës dhe dhënia e fjalës është e përcaktuar me rregulloren në fuqi dhe nëse ka pas rast që është shkelur rregullorja është nga insistimi i opozitës për tu zgjatur në diskutimet e tyre dhe gatishmërinë e qeverisjes për tu përgjigjur në çdo interesim të anëtarëve të Kuvendit.
“Ne përherë jemi transparentë dhe vlerësojmë rolin e secilit anëtarë pa dallim por gjithherë kemi vepruar dhe do të veprojmë që Kuvendi të punojë në bazë të rregullës së punës dhe të trajtojë çështje që janë në interes të qytetarëve e për të cilin ka përgjegjësi ky organ e jo për interesa individuale që përpiqen ti thyejnë rregullat e kuvendit për kinse interesin e qytetarit në ndonjë të temë të caktuar, por që në fakt ka vetëm interesa individi”, ka thënë Kurteshi. – Emini
Sipas saj, nuk është e vërtetë dhe nuk qëndron asnjë prej akuzave që opozita i ka adresuar në emrin e saj sepse seancat e Kuvendit përveç që janë publike ato edhe transmetohen live dhe po ashtu ekziston edhe procesverbali për çdo seancë e ku shihet edhe nga volumi i saj se fjala e lirë për këto që vepron në kuadër të rendit të punës dhe sipas rregullores, asnjëherë nuk ka munguar.
“Sa i përket dështimit të seancës së kaluar për mungesë kuorumi, e për të cilën sërish kritikat e opozitës vijnë në adresën time, u them se veprimi i një subjekti politik për pjesëmarrje apo jo është veprim politik, duke rikujtuar se të tilla i ka bërë edhe vet opozita, hiq më larg se seanca e mëhershme, kur opozita e braktisi dhe ditën tjetërnuk merr fare pjesë në vazhdimin e saj. Ndërsa, kur jemi te numrat u them atyre, se kuorumin e kanë pamundësuar edhe mungesa e vet anëtarëve të opozitës”, thotë ajo.
Edhe kritikat se ka shkelje tani me rastin e caktimit të seancave të jashtëzakonshme nga ana ime nuk qëndrojnë, thotë Kurteshi – Emini, sepse ato në të dyja rastet, edhe në rastin e parë, më 29 nëntor, por edhe tani që është ftuar për 9 dhjetor, janë në bazë të afateve ligjore që parashihe, andaj akuzat e opozitës bien poshtë.
“Vetëm sa për njoftim të qytetarëve, kërkesa për seancën e jashtëzakonshme është bërë nga opozita me 29 nëntor, e premte, ajo është pranuar të hënën ndërsa është shqyrtuar dhe është proceduar të martën ku edhe është caktuar data, duke pasur parasysh rregulloren për njoftimin paraprakisht të anëtarëve më së paku tri ditë pune për seancat e jashtëzakonshme prej ditës që njoftohen”, thotë tutje ajo.
Sa i përket çështje që ka të bëjë me lokacionin e ri të varrezave të qytetit Kurteshi – Emini ua kujton opozitës se lokacioni i tillë është i përcaktuar qysh më 2003, një gjë e cila është paraparë edhe në planin zhvillimor komunal.
“Për fund ftojë të gjithë anëtarët e Kuvendit, pa dallim që të kontribuojnë në çdo çështje që ka të bëjë me interesin e përgjithshëm qytetar, duke e vlerësuar lartë kontributin edhe të anëtarëve të opozitës”, ka thënë kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresë Kurteshi – Emini.