Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini ka pritur sot në një takim pune në zyrën e saj Asamblesë e Fëmijëve, ku është diskutuar për aktivitetet e deritashme, sukseset dhe sfidat e të rinjve, pastaj rreth përpilimit të planit të punës për periudhën e ardhshme si dhe koordinimin e aktiviteteve.
Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini ka përgëzuar asambleistët e vegjël për punën e deritashme si dhe i ka inkurajuar ata që të vazhdojnë me këtë ritëm edhe në të ardhmen, duke iu premtuar mbështetje në të gjitha aktivitetet që ndërmerre asambleja e fëmijëve.
“Do të jemi pranë jush në çdo çështje dhe çdo proces që është në interes të fëmijëve të komunës sonë”, ka thënë Kurteshi-Emini, duke nënvizuar faktin se Komuna e Gjilanit ka edhe strategjinë dhe planin e veprimit për fëmijë për periudhën 2018-2021.
“Kjo strategji përcakton masat për realizimin e të drejtave të fëmijëve në sistemin e qeverisjes komunale dhe kontribuon në krijimin e një komune miqësore për fëmijë”, ka thënë Kurteshi-Emini.
Asamblenë e Fëmijëve e udhëheq Olt Syliqi, ndërsa nënkryetarë janë Andrim Hajdari e Kanina Mehmeti.
Asambleja e Fëmijëve përbëhet nga përfaqësues të shkollave fillore të komunës së Gjilanit dhe për herë të parë është themeluar në vitin 2014, thotë Hanumshahe Rexhepaj, zyrtare për të Drejtat e Fëmijëve.