Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur sot takimin e radhës, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal raportin financiar janar-shtator 2020, propozim-vendimin për formimin e Grupit punues për hartimin e Planit të punës të Kuvendit për vitin 2021, propozim-vendimin për modifikimin e atributeve të titullarit të pronave komunale dhe regjistrimin e tyre me emërtimin ligjor, iniciativën për themelimin e Muzeut Etnografik në Gjilan, propozim-vendimin për emërimin e Komisionit Komunal të Aksionarëve në KRM “Ecohigjiena” si dhe vendimin për binjakëzimin e Komunës së Gjilanit me Komunën e Kumanovës.
Sa i përket planit të punës së Kuvendit për vitin 2021, kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini u shpreh e bindur se drejtoritë komunale do të jenë bashkëpunuese me grupin e punës në këtë proces, me qëllim të harmonizimit të agjendës së Kuvendit për vitin vijues.
‘Agjenda e punës së Kuvendit është e lidhur ngushtë me planet e punës së drejtorive komunale’, tha Kurteshi-Emini.
Kjo ishte edhe kërkesë e Ibish Ibishit, këshilltar i pavarur si dhe anëtarëve tjerë të Komitetit për Politikë dhe Financa.
Ndërkaq sa i përket titullarit të pronave komunale, drejtori i Kadastrës, Sali Fazliu sqaroi se komuna e Gjilanit është e para që e ndërmerre një nismë të tillë unifikimin e titullarit të pronave komunale.
Kurse në lidhje me propozim-vendimin për emërimin e Komisionit Komunal të Aksionarëve në KRM “Ecohigjiena”, Sadri Arifi nga sekretaria e Kuvendit sqaroi se një anëtar, përkatësisht Meral Sadriu Vokshi është tërhequr nga komisioni për shkak të emërimit në pozitën e drejtorit të Buxhetit dhe Financave dhe ky vend duhet të plotësohet.
Për të gjitha këto pika pritet të zhvillohet debat i gjerë në seancën e Kuvendit Komunal, e cila do të mbahet më 9 nëntor 2020./LONLINE.com/