Edhe pse pranimin e serbëve të veriut të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e fundit lokale Qeveria e vendit e sheh si dëshmi për dëshirën e tyre që të integrohen në Kosovë dhe të pranojnë shtetin e Kosovës, vetë përfaqësuesit e këtyre serbëve, sikur edhe zyrtarët e shtetit të Serbisë, nuk lëshojnë asnjë rast që të porosisin se në asnjë mënyrë nuk kanë ndryshuar qëndrimin kundër, siç thonë ata, “të ashtuquajturës pavarësi të Kosovës”.
Edhe vetë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili në Bruksel pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “Serbia dhe serbët i kanë arritur të gjitha qëllimet me pjesëmarrjen në zgjedhjet dhe në dialog”, ka thënë se pranimi për t’u integruar në Policinë e Kosovës nuk do të thotë në asnjë mënyrë se e pranojnë “të ashtuquajturin shtet të Kosovës”.
Përfaqësuesit e Serbisë nuk kanë fshehur asnjë herë se të gjitha veprimet që i kanë bërë në dialogun për Kosovën janë në shërbim të parimit të Serbisë në procesin e integrimeve në BE.
Në Parlamentin Evropian javën e shkuar thuhet se ishte zhvilluar një diskutim mjaft konstruktiv për Kosovën dhe dialogun. Në të, sipas burimeve të gazetë “Koha Ditore”, kishin marrë pjesë këshilltarë të lartë nga Zyra e presidentit të Serbisë, ndërsa nga Kosova kishte marrë pjesë Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga.
Por atmosferën pozitive dhe konstruktive thuhet të ketë prishur në fund Kërstimir Pantiq, fitues në zgjedhjet për kryetar komune në veri të Mitrovicës.
Sipas burimeve, ai thuhet se gjatë debatit kishte heshtur dhe nuk ka thënë asnjë fjalë, madje as kur e kanë pyetur se a ka për të thënë diçka. Por në fund, sipas të njëjtave burime, Pantiq ka marrë fjalën dhe duke iu drejtuar raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ka thënë: Dua t’ju them dy gjëra qartë: kurrë në veri nuk do ta shihni flamurin e Kosovës dhe kurrë nuk do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës. /Koha ditore/