Kuvendi Komunal i Gjilanit, ditë më parë në një seancë të jashtëzakonshme, miratoi propozim vendimin për aprovimin e revidimit të pjesshëm të Planit Rregullues Urban “Qendra- Zona 1” në parcelat Nr. 03872-0 dhe Nr. 03878-0, me qëllim që t’i mundësohet Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, ndërtimi i një objektit administrativ.
Shkruan: Bashkim ISUFI
Ky ndryshim i destinimit në kuadër të Planit Rregullues Urban “Qendra- ZONA 1”, është në kundërshtim me Ligjin Nr. 04\L-174 për Planifikim Hapësinor sepse: Nuk lejohet ndryshimi i destinimit apo shfrytzueshmërisë së lokacionit nga ajo që është paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor, ku shprehimisht në nenin 26 paragrafi 7, thuhet: “Dokumentet ekzistuese të planifikimit hapësinor, të cilat janë të miratuara mbeten në fuqi derisa të harmonizohen me dispozitat e këtij ligji”.
Madje, afërsia e këtyre dy parcelave me Muzeun e Qytetit apo objektin e Kajmekamllakut, i cili është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, e bënë të pamundur pajisjen me leje ndërtimore të Këshillit të Bashkësisë Islame, pasi që objekti “Muze” është monument arkitektural nën mbrojtje të përkohshme dhe ka një zonë të mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Zonë kjo e cila është e mbrojtur me Ligjin Nr. 02/L-88 për Trashëgimi Kulturore, ku ndër të tjera në nenin 6 pika 6.4 të këtij ligji, thuhet se: “6.4. Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit…”.
Gjithashtu, Ligji Nr. 04/L-110 për Ndërtim, neni 21 paragrafi 1 dhe 2, përcakton se:
“1. Leja ndërtimore lëshohet nëse dokumentacioni ndërtimor përgatitet në pajtueshmëri me kushtet ndërtimore dhe në pajtim me dispozitat e këtij ligji, Kodit si dhe Ligjit mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke përfshirë edhe zonat e veçanta të mbrojtura” dhe
“2. Nëse organi kompetent vlerëson se dokumentacioni ndërtimor nuk është përgatitur në përputhje me kushtet ndërtimore dhe me dispozitat e këtij ligji, Kodit si dhe Ligjit mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke përfshirë edhe zonat e veçanta të mbrojtura, nuk do të lëshojë lejen ndërtimore. Në rast se kërkesa për leje ndërtimore refuzohet, organi kompetent duhet të ofrojë sqarim të mirëfilltë për arsyet e refuzimit”.
Tani shtrohet pyetja se si do të pajiset me leje ndërtimore Këshilli i Bashkësisë Islame nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, kur dihet se në afërsi të këtyre dy parcelave gjendet objekti i Kajmekamllakut apo Muzeu i Qytetit, i cili është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore.