Kuvendi i Kosovës është shndërruar në vendin ku bëhet fushatë paraelektorale, në vendin ku më tepër i kushtohet rëndësi dukjes, ku bëhet garë se cila është veshur më bukur se tjetra.
Shkruan: Ardian Azemi
Ky organ shtetëror, është transformuar në një çajtore ku mund të flitet ashtu siç të teket, të mbash fjalime koti, disa bëjnë llajka në fejsbuk, e disa tjerë kujdesën për të bërë ndonjë fotografi. Kuvendi i Republikës së Kosovës për të satën herë ka dështua ta kryej punën e vet të përcaktuar me Kushtetutë.
Nuk ndodh që të mbahet një seancë plenare e të mos dëgjosh e shohësh fjalime dhe veprime nga më të pistat. Degradim total i kulturës dhe sjelljes parlamentare.
Njëqind e njëzetëshja aty brenda (natyrisht me përjashtime), është pak ose aspak e interesuar me u marrë me obligimet dhe përgjegjësitë e deputetit, por kryekëput janë të interesuar me e shfrytëzua maksimalisht pozitën e deputetit për një rizgjedhje të mundshme për mandatin tjetër.
Kjo ndodh sepse ne si qytetarë ua lejojmë dhe natyrisht, ua mundësojmë. Janë të rralla ato momente kur në seancë plenare të Kuvendit të Republikës e dëgjon një deputet duke fol mençur dhe në përputhje me detyrat dhe obligimet e tij.
Edhe më të rralla janë ato momente kur inatet ndërmjet partive, sidomos parive të partive, mbesin jashtë sallës ku prodhohen ligje e merren vendime.
Të gjithë ngarendin të flasin, e pak janë ata që munden me thënë diçka të mirë, ose tu i mbrojtur interesat, bile të votuesve të vet.
Po bëhen shumë vite ku në Kuvend flitet e përflitet për dy-tre tema. Aty nuk është diskutuar për papunësinë, për gjendjen e mjerueshme të banorëve nëpër vende rurale ku mungon thuajse çdo gjë. Nuk është diskutuar për ambulanta në lagje të ndryshme nëpër komuna të cilat punojnë veç deri ora 20:00, ndërsa në vikend janë të mbyllura. Kuvendi nuk ka diskutuar asnjëherë për shumë tema që prekin direkt jetën e qytetarëve, por gjithherë kanë qenë të fokusuar në tema nacionaliste, sepse e njohin mirë mentalitetin tonë qytetarë dhe prekin bash aty ku edhe mund të përfitohet në votë.
Për një gjë jam i sigurt; pa unifikim të politikës në Kosovë, pa bashkërendim dhe koordinim pozitë-opozitë, dhe pa i lënë inatet anash, Kosova nuk ka me pas mundësi me bë asnjë hap përpara.
Rrethanat në të cilat ndodhet vendi ynë, kërkojnë mobilizim të përgjithshëm politik, unitet dhe vullnet për ti qu proceset para.
Fatmirësisht, Kosova gëzon mbështetjen e fuqive më të mëdha të botës, andaj do të ishte trishtuese nëse kjo mbështetje zbehet shkaku i shkapërderdhjes së politikës sonë dhe qëndrimeve të betonuara të partive politike.