Xhevat LATIFI
KUR POETI SHKRUAN GRA – FITE
Kur poeti shkruan grafite
Është i lodhur nga politika dhe gazetat që po vdesin dikur si emblema të fjalës
i lodhur dhe nga ato dreq shkrime të së shtunës kur kritikët rrejnë
Epo e njeh moralin e kritikëve që bëjnë atë që munden
ngase nuk mundin më shumë janë impotent me bo fjalë të mira
Eh poeti shkruan Gra-fite
ngase është lodhur nga shteti që i merr taksë frymëzimin
edhe e bën të pres në radhë në repartin e shërimit
sklerozzza miope me u mbyllë mbrenda
andaj shkruan
të shkretat mure me ca fjalë
që thonë shumë për kohën e Rita Orës
për kohën e UCK-së dhe Kosova Republikë
për Atë Bac U krye…
e për Agim Ramadanin…
Gra-fiti : Presidente ti po bënë hajgare! ( po na marrin nëpër gojë)
bëhen parrulla për protestën Mos me lëshue vendin Poshtë qeveria!
Nejse
nuk janë krejt grafitet politiii-ik
Poeti shkruan grafite
se gratë, ahh këto gratë nuk lexojnë më poezi
duan seks të shpejtë dhe mundësisht një natë me ters
pa shenja pa gjurmë dhe në fund pa fjalën të dua (s’ka këtu poezi)
Poeti shkruan pra gra-fite për inat
për gratë, për shumë gra të Carls Bukovskit
për ato gra të ikura në politikë
që lexojnë grafite shpejt e shpejt nga veturat me dritare të zezë
***
Grafitet janë për faqe të bardhë
( për çarshaf të bardhë me ca pika purpur)
që damkojnë një mur për të mos prishë një zemër
janë ca pika të një tregimi që ka nisë i pari Platoni…
me një shkronjë a me një fjalë
psh, grafiti T’du… pak n’gji!
huton çdo femër që bie në duart e një poeti te çmendur si Marko Trena
që bënte dashuri me krejt gratë e fshatit
Lexoni
gra-fitet janë poezi që tregojnë për dashurinë
si hireoglifet nga varri Kleopatrës
n’ty viza-tohet Dielli!