Ismajl Kurteshi, deputet
(2L ONLINE) – Shumica absolute e qytetarëve të Republikës së Kosovës iu gëzua iniciativës së katër subjekteve politike shqiptare, pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të njohura si LAN dhe Lëvizje Vetëvendosje, që t’i thonë JO qeverisjes Thaçi 3.
Arsyen e inicimit dhe arritjes së kësaj marrëveshje e shpjegoj mirë sekretar i përgjithshëm i LDK-së kur tha:” E keqja ma e madhe vendit do t’i bëhej me koalicionin LDK – PDK … prandaj nuk ka gjasa t’i nënshtrohemi as një lloj presioni që na kërkon të hyjmë në këtë koalicion…” për çudi ai dhe shumë të tjerë që deklaroheshin kundër këtij koalicioni votuan pikërisht për këtë koalicion, të vetëdijshëm për të keqen që po ja bëjnë shtetit. Udhëheqja e LDK-së që pati deklaruar se nuk do t’i nënshtrohet presioneve, nuk i rezistoj lakmisë për pushtet. Me gjithë nënshtrimin e udhëheqësve, rreth ¼ e deputetëve nga LDK-ja u deklaruan publikisht se nuk do t’i votojnë institucionet e dala nga ky koalicion, të cilin njëra nga deputetet e quajti koalicion të rrënimit të shpresës.
Absurdi bëhet edhe më i madh kur marrëveshjen me Thaçin e nënshkroi Isa Mustafa, pasi kishte deklaruar publikisht se nuk i beson Hashim Thaçit dhe se duart i mban në xhepa për t’i ruajtur xhepat nga Qeveria e udhëhequr nga Thaçi. I vetëdijshëm për mashtrimin që ua bëri votuesve të vetë, Isa u mundu që këtë mashtrim ta arsyetoj me gjoja ndërhyrjen e Ambasadores Amerikane, por këtë mashtrim të dytë e demantoj vetë Ambasadorja.
Me nënshkrimin e koalicionit me PDK-në me 19 nëntor, LDK-ja njëanshëm hoqi dorë nga marrëveshja mbi parimet e qeverisjes të nënshkruar me 10 shtator në mes të Vetëvendosjes dhe LAN-it, e cila garantonte qeverisje ndryshe.
Marrëveshja me PDK-në u nënshkrua edhe pse as një deputet nuk u shit, edhe pse nënshkruesi dhe përkrahësit e tij ishin të vetëdijshëm për pasojat e rënda për vendin nëse ndodh koalicioni LDK-PDK. Koalicioni u nënshkrua edhe pse udhëheqja e LDK-së votat i kishte marr për ta dërguar PDK-në në opozitë, e jo për të bërë koalicion me te. Por ndodhi kthesa që i fiku shpresat e qytetarëve të Kosovës të cilët shpresonin që më në fund do të ndodhin ndryshimet që do të ndikojnë në jetën e tyre, në jetën e familjeve të tyre dhe në zhvillimin e Shtetit.
Kur kihet parasysh që ky koalicion ndodhi për shkak të lakmive personale të liderit dhe të nënshtruarve të tyre, që injoruan interesat e vendit dhe vullnetin e votuesve të LDK-së dhe të subjekteve tjera politike dëshpërimi u bë edhe më i madh. Kjo po bënë që numri i të pa kënaqurve në LDK, dhe të atyre që po largohen nga partia të rritet.
Pakënaqësia është e madhe sepse qytetarët shpresonin që me nënshkrimin e marrëveshjes mbi parimet e qeverisjes me 10 shtator, ky mandat do të ishte mandat i zhvillimit ekonomik, i ngritjes së cilësisë në arsim, ngritjes së cilësisë së shërbimeve në shëndetësi, i investimeve në bujqësi, i investimeve të huaja në industrinë përpunuese dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Kanë pritur, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, të ri formatohen bisedimet me Serbin dhe të mos ndodh privatizimi kështu si ndodhi në të kaluarën. Ka prit hapje të perspektivës në vend e jo shpëtim nga liberalizimi i vizave që edhe ashtu nuk po liberalizohen.
Se zhgënjimi pas Nënshkrimit të koalicionit me PDK-në është shumë i madh flet edhe vargu i gjatë i të rinjve që menjëherë pas nënshkrimit e kanë marr rrugën e emigrimit sepse ata, si pothuajse të gjithë ne, janë të bindur se ky koalicion e mundëson keqqeverisjen, korrupsionin, krimin e organizuar, tenderët jo transparent dhe rrit ndikimin e Serbisë në Kosovë. Edhe ky mandat do të jetë mandat i varfërimit të mëtutjeshëm të vendit dhe i braktisjes së tij nga rinia. Perspektivën e të cilëve po e rrënojnë uzurpatorët e shtetit që u ngritën në pozita me votat e qytetarëve të mashtruar, në mënyrë të përsëritur, me premtimet elektorale që kurrë nuk i realizuan.
Tani më mirë se kurrë po e kuptojmë se këtë gjendje shumë të rënd për qytetarët, e tepër të mirë për sundimtarët, nuk do ta ndryshojnë kurrë sundimtarët, që për interesat e tyre ishin dhe janë në gjendje ta zhbëjnë Republikën.
Ndryshimin do ta bëjnë qytetarët, atëherë kur ta kuptojnë se nuk bënë t’ju besojnë atyre që po i mashtrojnë qe 15 vite. Kur të jenë të gatshëm të reagojnë sa herë që të keqpërdoret paraja dhe prona publike. Sa herë që të nëpërkëmben interesat e vendit. Sa herë që të mos përmbushen premtimet. Sa herë që vendi ka nevojë për ndryshime.
Sot shumica e qytetarëve të Kosovës po e kupton se ky vend vërtet ka shumë nevojë për ndryshime pozitive, që nuk do të ndodhin kurrë, nëse këto ndryshime nuk i bëjnë ata vetë./2L ONLINE/