Nga: Shaban Tërstena
Të nderuar këshilltar të PDK-së,
Pasi disa herë me radhë po përmendet apo aludohet në emrin tim, atëherë jo për hir tuajin( sepse ju i dini mirë gjërat), por për hir të qytetarëve, të cilët po tentoni ti dezinformoni, ndjej obligim ti shkruaj disa rreshta. Meqë ju po merreni me mua, unë vetëm do të tregoj realitetin, e qytetarët le të vendosin se kush ka te drejtë.
Në reagimin e fundit po shkruani se DKA-ja në konkursin e fundit ka pranuar dy drejtorë të suspenduar për keqpërdorime, ku aludoni edhe në mua. Andaj është mirë që qytetarët të dinë edhe arsyet dhe mënyrën e suspendimit. Po, është e vërtetë se unë jam suspenduar nga PDK-ja kur ishte në pushtet, sepse nuk kam pranuar të kryej regjistrime diferenciale të nxënësve në shkollën e mjekësisë.
Në vitin shkollorë 2008/09 pas një regjistrimi shumë korrekt dhe plotësisht me kritere të konkursit, unë ftohem nga Bujar Nevzati në zyren e kryetarit Qemajl Mustafa dhe në prezencë të Bastri Musmuratit më dorëzojnë një listë me emra të nxënësve që duhen pranuar jashtë kriterit. Përkundër qëndrimit tim për të mos shkelë konkursin, të cilin e mbronte edhe Ismajl Kurteshi – drejtor i atëhershëm i DKA-së , e për dallim nga ky, familjarët e tij po ashtu kishin sjellë emra dhe kërkonin që nëse shtohet numri të pranoheshin edhe ata.
Pas një kohe të gjate prej rreth dy muajsh presione telefonike , unë përsëri u ftova në zyrën e kryetarit nga Bujar Nevzati për të më bërë presion, – ku u takuam edhe me Ismail Kurteshin (por në prezencën e tij nuk u diskutua për regjistrimin e nxënësve).
Pasi nxënësit që kërkohej të regjistroheshin ishin me pikë shumë të ulëta dhe kishte shumë nxënës në pritje, madje me sukses shumë më të mirë, atëherë zgjidhje e vetme e drejt për mua ishte, ti pranoj të gjithë ose asnjë. I përballur me presione të tilla të vazhdueshme , mora vendim që të regjistrohen të gjithë nxënësit që ishin në pritje dhe kishin ngelur të pa regjistruar askund, sepse unë nuk mund ti diferencoja nxënësit, duke u thënë “ju që keni të njohshëm mund të regjistroheni, e ju të tjerët s’keni krah dhe ikni në shtëpi”.
Më vonë nisën procedurat për shkarkimin tim, sepse paskam pranuar nxënës pa kritere. Ndërsa unë mendoj se, kisha një kriter – “të gjithë nxënësit e paregjistruar që rrezikonin të humbnin vitin shkollorë” , përballë jush që kishit kriter – “të gjithë nxënësit që i kemi të familjeve tona apo të bosave politik.
Por, nëse unë do të shkarkohesha menjëherë, vinte në pikëpyetje edhe anulimi i regjistrimit, dhe duhet tu largoheshin edhe kandidatët nga lista e tyre. Andaj ata i stërzgjatën procedurat për shkarkim deri në qershor ,kur nxënësit mbaruan klasën e dhjetë dhe atëherë ndodhi shkarkimi im, pa rrezikun për anulimin e regjistrimit. Suspendimi ndodhi nën pretekstin se paskam pranuar nxënës pa kriter dhe paskam shtuar shumë numrin e nxënësve nëpër paralele.
Dhe për çudi në shtatorë edhe pse numri i paraleleve u ngrit nga 6 ne 10 paralele, numri i nxënësve në ato paralele arriti madje edhe në 46 nxënës. Në mbledhjen e këshillit të arsimtarëve, drejtori i shkollës, pati deklaruar: “deri në numrin 37 unë jap llogari, mbi këtë numër unë nuk jap llogari kah kanë ardhur”. Mendoj se kjo tregon shumë qartë mënyrën dhe qëllimin e këtij shkarkimi.
Unë atë kohë bëra edhe ankesë në komisionin komunal për ankesa, po kurrë nuk mu kthye, as përgjigjeje negative, as pozitive. Përgjigje negative s’mund të kthehej sepse i pengonte njerëzit ndërgjegjja, e pozitive s’mund të kthehej sepse i pengonte pushteti. Në këtë rast zgjodhën të heshtin, por mos harroni se edhe heshtja flet shumë. Andaj kur flitet për Shaban Tërstenën PDK duhet të turpërohet dhe të ulë kokën.
LDK kur ishte në pushtet, më zgjodhi drejtor edhe kur unë nuk i takoja këtij subjekti politik(isha LDD), andaj është shumë logjike, që do të më zgjedh edhe kur i takoj atij subjekti, sepse ky subjekt sheh vlera dhe parime të drejta tek unë si punëtorë arsimorë. Ndërsa ju ishit ata që më larguat për të sjellë ish anëtarin e kryesisë dhe ish këshilltarin tuaj komunal
Sa parimorë dhe apolitik keni qenë ju në përzgjedhjen e drejtorëve në mandatin tuaj, flet qartë edhe ftesa për koalicion, që ish kryetari juaj ia pat bërë LDD-së, ku hynin edhe pozitat e drejtorëve të shkollave, pra ishin edhe pazare politike. /2L ONLINE/