Ka kohë, të mos themi është bërë e zakonshme, që kur përmendet Teatri i Gjilanit, nuk të shkon mendja së pari tek ajo se cila shfaqje po vihet në skenë, pasi publiku gjilanas është i etshëm për të parë shfaqje dhe është një vlerësues i mirë, por menjëherë të shkon mendja për problemet në, dhe rreth këtij institucioni, që nuk po gjen një zgjidhje të përhershme, për problemet që politika asnjëherë nuk po i kupton, apo nuk po do me i kuptua, dhe rrjedhimisht edhe nuk po ofrohet një zgjidhje afatgjate, e përhershme.
A ka grevë, a s’ka grevë, a ka paga, a s’ka paga, a u zgjodh drejtori a nuk u zgjodh, a u siguruan financat a jo, a u largua dikush nga puna, a ka ngrohje a s’ka, a u votua në Kuvend a jo për me ju dhënë pare aktorëve.., e shumë çka tjetër, po bënë që Teatrin e Gjilanit ta kaplojë një zymtësi.
Por, ditë më parë, asaj për pak kohë iu kthye shkëlqimi që realisht duhet ta ketë një teatër, sidomos i një qyteti si Gjilani, që në gojën e politikanëve di të jetë shpesh fjali e shqiptuar se si na qenka një “qytet i kulturës”…!
Publiku si shumë herë mbushi sallën, por në skenë kësaj here nuk u ngjitën ata që e kanë për profesion, që (s)paguhen për një punë të tillë, por nxënës filloristë, e të cilët u treguan po aq profesionistë, për të performuar një shfaqje, që në fakt, përveç aktrimit, i patën edhe të gjitha elementet tjera, si regjinë, skenografinë, muzikën, kostumografin dhe ndriçimin.
Ishte shfaqja “Cilindri Magjik “, punuar nga nxënësit e klasës V-4 të SHMU “Abaz Ajeti”, në Gjilan, e bërë në regji të mësueses Suzana Demi, e ku aktruan kompletë kjo klasë (25 nxënës). E veçanta e kësaj shfaqje përmes të cilës u vu në skenë një përrallë, ishte fakti se ajo u bë me profesionalizëm duke përfshirë elementet si: regjia, muzika, skenografia, kostumografia dhe ndriçimi të realizuara në mënyrën më të mirë të mundshme.
E, po ashtu nxënësit ndonëse vetëm 10-11 vjeç, ata shfaqen talentin e tyre në profesionin e aktrimit duke realizuar me përkushtim rolet e tyre, pra shpërfaqur në detaje karakteret e shfaqjes-përrallës së inskenuar. Që të gjithë nxënësit e kësaj klase, secili në rolin që kishte interpretuan bukur dhe me lojën e tyre, barten emocione te publiku.
Natyrisht që meritore për këtë aktivitet teatral, që erdhi si një aktivitet përmbyllës i procesit mësimor pesëvjeçar me këtë gjeneratë, ishte mësuesja e klasës në fjalë, Suzana Demi, që në vete edhe këtu ngërthehet një e veçantë sepse ajo i iku shabllonit të cilin jemi mësuar ta shohim, me aktivitete vetëm në rrethe të shkollës, me program vetëm para prindërve të nxënësve, me recitime, këngë e imitime këngëtarësh, por ajo organizoi një aktivitet më ndryshe dhe jashtë shkollës, në një vend si teatri e ku pati të pranishëm edhe adhurues të tjerë të skenës.
Mësuesja Suzanë thotë për Portalin 2LONLINE, përplot emocione se është tejet e lumtur dhe e gëzuar me atë që ofruan nxënësit e saj para publikut. Sipas saj, ata ishin të shkëlqyeshëm.
Ajo tregon se leximi i kësaj përralle u nis në kushte të shkollës si aktivitet i mësimit shtues nga dy herë në javë. Pastaj, nxënësit duke parë përpjekjet, angazhimin dhe vullnetin e mirë të saj, sqarimet në detaje, për çdo karakter të personazhit, u motivuan për një lojë të shkëlqyer.
Demi thotë se kjo shfaqje nuk do të mund të realizohej kaq bukur, pa ndihmën e të gjithëve që ishin të përfshirë, që kjo shfaqje të bëhej gati për publikun, dhe ka falënderuar në veçanti mjeshtrin e muzikës, Florim Gagica dhe mjeshtrin e ndriçimit, Fatmir Halili.
Për këtë prurje të re me nxënës shkollash të klasave të ulëta, e me një përkushtim të jashtëzakonshëm të një mësuese, u ndanë të kënaqur edhe publiku që kishin mbushur sallën plot, me shpresë se nxitje të tilla do të ketë edhe për shkolla tjera, për t’u shndërruar në praktika të mira.