(2L ONLINE) – Hapësira e ish objektit te Komunës, ish selisë së kryetarit, e cila është liruar nga Kryetari Lutfi Haziri për muze nuk pritet qe edhe për një kohë të jetë funksionale pavarësisht se flitet për 300 eksponate që komuna i ka në dispozicion për t’i ekspozuar në muze.
Në këtë ambient nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë përveç se janë hequr mobiliet dhe pluhuri ka filluar të mbulojë gjithçka.
U.D. Drejtorit të Kulturës Bujar Haziri është shprehur se marrëveshja midis Komunës së Gjilanit dhe organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij (“Cultural herritage with out Borders”), është nënshkruar për studimin e fizibilitetit të objektit dhe se ata e kanë sjelle një plan për modelin se si do të jetë Muzeu në fjalë, por këta të fundit shprehen se nuk është kompetencë e tyre muzeu por e Drejtorisë së Kulturës.
Ndërkohë që ditë më parë në ambientin ku do bëhet muzeu ishte hapur edhe një ekspozitë në kuadër të Sallonit vjeshtor, U.D. Drejtorit të Kulturës Bujar Haziri ka thënë se kjo është bërë në mënyrë që përveç ekspozitës të promovohet edhe muzeu.
Se si mund të promovohet një muze kur në të nuk ka asnjë dokument apo fakt historik për Gjilanin këtë mund ta dinë vetëm ata që kanë kompetencë për funksionalizimin e muzeut!
Përndryshe, kur ishte nënshkruar marrëveshja në fjalë kreu i komunës Lutfi Haziri kishte thënë ndër tjerash se do të mundohen që këtë muze ta bëjmë shtëpi, ku njerëzit, qytetarët, fëmijët, vizitorët, gjithkush që vjen në Gjilan, të bëhet emblemë identifikimi me Gjilanin, të vijnë ta vizitojnë dhe natyrisht me qenë njëra nga shtëpitë më të vizituara në komunë.
Ndërsa nga ana e tij, Sali Shoshi, drejtor i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij për Kosovë, kishte thënë se Fokusi i bashkëpunimit në Gjilan që është konkretizuar me memorandumin e bashkëpunimit do të jetë që të mblidhen eksponatet, të bëhet katalogimi i tyre, të bëhet interpretimi i tyre dhe të ndërtohen ekspozitat në muze, përpos kësaj të trajnohet stafi dhe muzeu i Gjilanit të bëhet pjesë i rrjetit të muzeve në Ballkan. Shoshi kishte thënë se Gjilani ka eksponate, një kulturë e cila mund të mblidhet dhe mund të interpretohet, duke shpresuar që deri në fund të këtij viti, do të dalin me ekspozitën e parë dhe me produktin e parë që do t’ua servojnë edhe turistëve, por edhe qytetarëve të Gjilanit.
/Vasilika BUNAJ/ 2L ONLINE/