Kombëtarja shqiptare ka barazuar pa gola (0:0) me Bjellorusinë, në miqësoren e parë në kuadër të përgatitjeve për fushatën kualifikuese për Euro 2016, që u zhvillua, të premten, në stadiumin e boshatisur në Antalia.
Të përzgjedhurit e Giani De Biasit patën një paraqitje të zbehtë dhe sikur të mos ishte në formën e tij më të mirë portieri Etrit Berisha, atëherë sigurisht se humbja do të ishte e pashmangshme. Në fakt, portieri kosovar që është pjesë e Lazios, në minutën e 17-të priti goditjen e bjellorusëve nga penalltia. Berisha doli të jetë shpëtimtar edhe në minutat e 26-të dhe 33-të kur ia mohoi golin bjellorusëve, transmeton rtk.
Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me paraqitjen e tij dhe që arriti ta shpëtojë skuadrën nga humbja. “Në çdo ndeshje unë dhe ekipi mundohemi të bëjmë detyrën sa më mirë që mundemi. Në këtë ndeshje pata disa reagime të mira dhe jam i kënaqur që e mbajta portën të pamposhtur. Kam përkrahje nga të gjithë dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë. Në momentin e penalltisë i dëgjova disa zëra nga bashkëlojtarët se do ta prisja topin dhe më vjen mirë që ia arrita qëllimit. Luajtëm zbehtë? Trajneri ka provuar shumë lojtarë të ri dhe kemi pasur vështirësi të luajmë si ekip, por shpresoj të konsolidohemi sa më shpejt dhe të bëjmë paraqitje të mira”.
SHQIPËRI-BJELLORUSI 0-0
SHQIPËRIA: E.Berisha (Shehi 60′), A.Lila, Cana, Lenjani (Hysja 81′), Arapi, Gashi (Cani 53′), M.Basha, S.Lilaj, Rama (Balaj 71′), Meha (Roshi 65′), Sadiku (Memushaj 71′). Trajner: De Biazi
BJELLORUSIA: Chernikov, Polyakov, Radkov Verkhovtsov, Bordachev (‘Chukhley 46′), Tigorev, Dragoon (Olehnovich 46′), Kalachev, Krivets (Veretilo 78′), Balanovich (Putilo 66′), Rodionov (Gordeychuk 46′). Trajner: G.Kondratyev